GJKKO shtyn gjyqin e Arben Ahmetajt për “Buka sh.a.”, seanca e re më 16 dhjetor

Data

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë për datën 16 dhjetor, ora 13:30, seancën gjyqësore ndaj ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili po gjykohet në mungesë në kuadër të dosjes së njohur si “Buka sh.a.”.

Shtyrja u bë me kërkesë të Prokurorisë, pasi prokurori i çështjes, Elvin Gokaj, nuk ishte i pranishëm për shkak të angazhimit në një proces tjetër gjyqësor.

Dosja “Buka” – Akuzat ndaj Ahmetajt

Çështja penale është regjistruar në vitin 2022, pas një kallëzimi të një qytetari për procedurat e privatizimit të shoqërisë “Buka sh.a.”.

Ahmetaj akuzohet për “shpërdorim detyre”, si një nga gjashtë të pandehurit në këtë dosje.

Ish-zv.kryeministri gjykohet në mungesë dhe pa masë sigurie, pasi ndodhet në arrati që prej korrikut 2023, kur SPAK lëshoi urdhër-arrest ndaj tij për hetime të tjera të lidhura me aferën e inceneratorëve.

Arratisja dhe hetimet e SPAK

Ahmetaj, dikur një prej figurave më të rëndësishme të qeverisë së Edi Ramës — ministër i Ekonomisë, Financave, Rindërtimit dhe zv.kryeministër — u përfshi në hetimet për kontratat qindra-milionëshe të inceneratorëve, ku akuzohen biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Më 14 korrik 2022, Kuvendi miratoi kërkesën e SPAK për arrestimin e tij, por Ahmetaj i shmangu autoritetet dhe që prej asaj kohe jeton jashtë Shqipërisë.

Një kontratë lobimi prej 150 mijë dollarësh zbuloi se ai banon aktualisht në Lugano, Zvicër, një zonë e njohur për bankat dhe rezidencat e biznesmenëve të mëdhenj.

Vendimi i GJKKO-së – dokument zyrtar

Sipas njoftimit të Gjykatës, në seancën paraprake të 25 korrikut 2025, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Erjon Çela vendosi:

  • Pranimin e kërkesës së SPAK për dërgimin në gjykim të Ahmetajt.
  • Dërgimin e çështjes për gjykim për veprën penale “Shpërdorim detyre”, sipas nenit 248 të Kodit Penal.
  • Formimin e fashikullit të gjykimit me të gjitha aktet e hetimit.
  • Vendimi është i paankimueshëm.

Seanca e radhës do të zhvillohet më 16 dhjetor, ku pritet të vijojë shqyrtimi i dosjes ndaj ish-zv.kryeministrit të arratisur.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related