Protesta e tretë e opozitës, e zhvilluar këtë të hënë para Kryeministrisë, ka sjellë jo vetëm pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve dhe demokratëve, por edhe pankarta të shumta ironike, me mesazhe të drejtpërdrejta kundër qeverisë dhe zyrtarëve të saj.
Protestuesit kërkuan largimin e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila ndodhet nën hetim për çështjen e tunelit të Llogarasë. Mes pankartave të shumta, vëmendjen e të pranishmëve e tërhoqën disa mesazhe të mprehta lidhur me akuzat për korrupsion dhe keqmenaxhim të projekteve strategjike.
Një prej pankartave më të komentuara mban shënimin:
“Tunel turqve, port arabëve. Kamp italianëve! Shqiptarëve ‘Noc Rrokun’.”
Mesazhi ironik synon të godasë politikat e qeverisë në lidhje me tenderat publikë dhe marrëveshjet e diskutueshme, duke sugjeruar se asetet kryesore të vendit po i jepen kompanive të huaja, ndërsa shqiptarët mbeten të fundit në përfitime.
Atmosfera në protestë ishte e ngarkuar politikisht, me thirrje kundër korrupsionit, ndërsa drejtues të Partisë Demokratike mbajtën fjalime ku denoncuan qeverinë dhe kërkuan zgjedhje të parakohshme.
‘Foltorja’ pritet të vazhdojë çdo të hënë, sipas paralajmërimit të kreut të opozitës, si pjesë e një serie protestash që synojnë presion të vazhdueshëm ndaj qeverisë.
