Asambleja e Përgjithshme e Interpolit, zhvilluar së fundmi në Marrakesh të Marokut, u shndërrua në një tjetër episod që ngre pikëpyetje të forta mbi integritetin dhe standardet e Policisë së Shtetit. Pavarësisht vështirësive të bashkëpunimit ndër vite, partnerët ndërkombëtarë kanë treguar këmbëngulje për ta mbajtur Shqipërinë në rrugën e luftës kundër krimit transnacional. Mirëpo, delegacioni shqiptar në këtë aktivitet ndërkombëtar ngriti jo pak dyshime.
Drejtori i Policisë së Shtetit, të cilin kryeministri e ka quajtur madje “ministrin e vërtetë të rendit”, u shfaq i shoqëruar nga dy emra jo pak kontroversë: Uljan Shpataraku dhe Pëllumb Seferi. Në vend që të përfaqësonte ajkën e strukturave ligjzbatuese, Proda zgjodhi me vete njerëz me të kaluar problematike dhe lidhje të vjetra miqësore—një zgjedhje që ngre shumë pikëpyetje.
Uljan Shpataraku – “specialisti kundër narkotrafikut” që la të lirë trafikantin
Shpataraku, koleg dhe shok personal i Protës që prej kohës së punës në Elbasan, ka një dosje profesionale që nuk e nderon Policinë e Shtetit. Teksa drejtonte seksionin kundër narkotrafikut—ironia më e madhe—ai ka lënë të lirë një trafikant droge. Rasti çoi në pezullimin e tij nga AMP, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Lartë.
Në kushte normale, kjo do të ishte fundi i karrierës për një oficer policie. Por jo për shokun e drejtuesit të ri të Policisë.
Karriera ngjitet… edhe pse duhet të ishte ndërprerë
Në ditën e parë të detyrës, Proda jo vetëm që e sjell Shpatarakun në Tiranë, por i beson drejtimin e komisariatit të vjetër të Elbasanit—pavarësisht se ai nuk kishte gradën e duhur dhe duhej të ishte i pezulluar. Më pas, Proda i jep edhe gradën e munguar. Kështu, shkeljet, abuzimet dhe vendimet skandaloze shpërblehen, në vend që të ndëshkohen.
Udhëtimi i përbashkët në Marrakesh është thjesht konfirmimi se “shoqëria vlen më shumë se ligji”.
Drejtori që bllokon policët e ndershëm për të mbrojtur shokët
Rastet e përplasjeve të brendshme tregojnë edhe një herë se vendimmarrja e Protës nuk bazohet te merita apo ligji, por te shoqëria. Shefi i Seksionit 2, që guxoi të arrestonte mikun e drejtuesit të madh, u përball me degraduarim dhe presion—një sinjal i qartë se në Policinë e Shtetit, lufta kundër krimit nuk varet nga ligji, por nga miqësitë.
Policia e shtetit, e kthyer në “shoqëri private”
Në vend që të forcojë rendin, Proda duket se po e bën policinë lëmsh. Ndërkohë, krimi lulëzon, trafiku shtohet, dhe strukturat e rendit rrëzohen nga brenda. Por për “shokët”, Proda është i gatshëm të tërheqë zvarrë gjithë sistemin.
Ironikisht, ai mund të jetë “shoku ideal” për dikë—por i fundit që duhet të drejtojë luftën kundër trafikut dhe kriminalitetit.
