Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë sot akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, e cila është shpallur e pandehur nga SPAK dhe pezulluar nga detyra. Berisha deklaroi se po përgatit publikimin e një dosjeje me dokumente dhe prova, që sipas tij zbulojnë një “skandal të madh ndërkombëtar”.
Berisha: Rama mashtroi qytetarët dhe Evropën
Duke folur për mediat, Berisha akuzoi kryeministrin Rama për mashtrim publik, duke u shprehur se kreu i qeverisë “ka gënjyer shqiptarët dhe partnerët evropianë” në lidhje me situatën e Ballukut dhe procedurat e ndjekura ndaj saj.
“Rama dje ka bërë një mashtrim të madh me qytetarët. Por kush ja bën, ja bën vetiu. I ranë kokës,” tha ai.
Sipas Berishës, mazhoranca socialiste ka krijuar për vite me radhë skema mbrojtjeje ligjore për deputetët, të cilat po shndërrohen në bumerang me rastet e fundit të hetimeve nga SPAK.
“Do të publikoj dokumente dhe fakte në orën 12:30”
Berisha tha se në konferencën e sotme të orës 12:30 do të nxjerrë prova që, sipas tij, ekspozojnë “një akt të paprecedent të Ramës dhe Ballukut” dhe një ndërhyrje që ai e cilëson të rrezikshme për imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
“Kemi të bëjmë me skandal të madh ndërkombëtar, që do ta denoncoj me dokumente dhe fakte,” u shpreh ai.
Reagimi mbi takimin me ministren “Diella”
I pyetur nga gazetarët për takimin e fundit me ministren e promovuar nga Rama, të cilën e quajti “Diella”, Berisha tha:
“‘Diella’ e shpartalloi Ramën. Ia nxori të gjitha mashtrimet.”
Deklarata është pjesë e retorikës së ashpër që Berisha ka përdorur ditët e fundit, ndërsa mazhoranca ka shmangur komentet direkte mbi akuzat.
Tension i rritur politik pas vendimit të SPAK
Shpallja e Ballukut të pandehur dhe pezullimi i saj nga detyra ka ndezur skenën politike. Ndërsa SPAK vijon hetimet, opozita kërkon më shumë transparencë dhe llogaridhënie nga qeveria.
Berisha pretendon se dokumentet që do të publikojë sot “do të vërtetojnë se ndërhyrja e Ramës në këtë çështje ka qenë e drejtpërdrejtë dhe e papranueshme”.
