Përmirësimi i infrastrukturës në lagjet e Tiranës mbetet në fokus të buxhetit 2026, duke garantuar investime për më shumë hapësira publike. Kështu u shpreh drejtuesja politike e Partisë Socialiste për Tiranën, Ogerta Manastirliu, në vijim të dëgjesave publike për buxhetin 2026. Së bashku me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj dhe deputetë të PS-së, Manastirliu zhvilloi një takim me banorë të njësisë nr. 1 në kryeqytet, ku u diskutuan prioritetet sociale dhe zhvillimore që do të marrin mbështetje në buxhetin e ri.Manastirliu theksoi rëndësinë e dialogut të drejtpërdrejtë me komunitetin dhe adresimin e shqetësimeve të tyre në buxhetin 2026, i cili si prioritet ka mbështetjen që qeveria shqiptare u jep të moshuarve, familjeve, punonjësve të administratës publike, si edhe profesionistëve të shëndetësisë dhe arsimit.Ajo u shpreh se një nga prioritetet e qeverisë mbetet infrastruktura e zonave të banimit dhe hapësirat publike, të cilat janë adresuar edhe në buxhetin e ri, përmes investimeve në përmirësimin e infrastrukturës brenda zonave të banuara dhe zgjerimin e hapësirave publike.
“Një prej prioriteteve tona mbetet sigurisht infrastruktura brenda zonave të banimit, që vjen edhe me operacionin e çlirimit të hapësirave publike. Një fond i posaçëm do të vendoset nga Bashkia për këto projekte, që nuk prekin vetëm njësinë 1, por të gjithë Tiranën”, tha Manastirliu. Sipas saj, buxheti i ri do të krijojë modele të reja projektesh në të gjithë kryeqytetin, duke synuar hapësira më cilësore për qytetarët, si në lagjet autoktone, ato ekzistuese, por edhe në zonat e reja. “Falë ndryshimeve ligjore që kemi bërë për kontrollin e territorit dhe hapësirat, do të kemi më shumë mundësi që të gjitha rezidencat e reja të ofrojnë hapësira dhe mjedise të dedikuara për fëmijët dhe të moshuarit. Rregullorja e re për hapësirat e çliruara do të shoqërohet me një instrument tjetër të vlefshëm për qytetin dhe komunitetin, që lidhet me gjelbërimin e zonave, përmes fondeve të dedikuara nga bizneset që marrin hapësira për shfrytëzim”, tha Manastirliu, duke nënvizuar se zbatimi i kësaj rregulloreje do të jetë përgjegjësi e bashkisë së Tiranës.
