Prokuroria e Posaçme (SPAK) po intensifikon hetimet për dosjen e “21 Janarit” dhe ditët në vijim duket se mund të sjellë zhvillimet më të bujshme të 14 viteve të fundit. Ish-kryeministri Sali Berisha është paraqitur disa ditë më parë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ndërsa juristja dhe aktivistja e njohur, Brizida Gjikondi, në një intervistë për “ABC News”, theksoi se vendimet e Strasburgut e kanë cilësuar tashmë ngjarjen si “krim shtetëror”, duke orientuar qartë drejtim e hetimeve. Ajo tha se SPAK ka punuar në qetësi për muaj të tërë, duke marrë dëshmi të reja nga persona që nuk janë bërë publikë. Sipas Gjikondit, hetimi i ri nuk lidhet vetëm me çështjen “Aleks Nika”, por synon të shkojë drejt zinxhirit të urdhëruesve dhe strukturave komanduese të “grupit të zjarrit”. Ajo nënvizoi se në fokus mund të jenë edhe figura politike, përfshirë ish-zyrtarë dhe drejtues të asaj kohe, për të cilët organi i akuzës ka mbledhur prova të reja. Juristja paralajmëroi se surprizat mund të shpërthejnë përpara datës 18 dhjetor, kur kreu i SPAK, Altin Dumani, lë detyrën. Sipas saj, dhjetori mund të shënojë momentin më të rëndësishëm në zbardhjen e plotë të 21 Janarit, duke hapur “Kutinë e Pandorës” për një sërë çështjesh të tjera të ndjeshme.
Pjesë nga intervista
Intervistuesi: A lidhet kjo me rastin “Aleks Nikën” apo bëhet fjalë për një çështje tjetër?
Brizida Gjikondi: Jo, nuk është për Aleks Nikën. Për Aleks Nikën është çështje e re dhe prokurorë të rinj për çështjen. Unë e di si ju që ka qenë pjesë në Apel. Ka qenë apel. Ka qenë përfaqësues i prokurorisë, me sa di unë dhe me sa mbaj mend.
Intervistuesi: Çfarë ndryshon kësaj radhe, pra?
Brizida Gjikondi: Ndryshon komplet. Thashë dhe në fillim që Strasburgu e ka sqaruar aq mirë situatën, ju ka thënë: “Është krim shtetëror”. I ka pozicionuar, i detyroi, sepse çështja shkoi në një Gjykatë të Lartë dhe ata prapë e kthyen në Prokurorinë e Tiranës. Ndërkohë, SPAK, biles, ka pasur mbrojtje prokurorin që është tani për “21 Janarin” dhe i ka rënë po atij prokurori. Dhe tani nuk ka më asgjë tjetër, veçse të kenë kurajon, që, me sa shikoj unë, e kanë, për të mbledhur provat dhe për t’i thënë hapur. Unë di që edhe përpara se të vinte zyrtari i lartë amerikan, ka pasur shumë persona që janë marrë për “21 Janarin”, që janë pyetur. Por ngaqë nuk njiheshin nga mediat, nuk është se janë identifikuar të gjithë. Nuk e di për zotin Malaj, për Agron Malaj, që tani është deputet i Partisë Socialiste. I cili, edhe nga fjalët e zotit Veliaj, u tha që po bëhet deputet që të shpëtojë nga “21 Janari”. Nuk e di a është pyetur apo jo. Sepse, pavarësisht se Partia Socialiste thotë që nuk ka qenë fajtor, Malaj ka qenë. Agron Malaj ka qenë kryetari i grupit të zjarrit. Është thirrur njëherë. Më duket e kam parë, e kujtoj që është thirrur njëherë në SPAK. Prandaj them që SPAK në fakt gjithë këto kohë ka punuar në mënyrë shumë të konservuar, shumë të tërhequr. Prandaj them që mund të kemi surpriza brenda dhjetorit, për të dalë, biles, brenda javës së parë të dhjetorit, për të dalë me datë 18, kur zoti Dumani lë detyrën. Jam e bindur që jo vetëm për 21 Janarin, por dhe për çështje të tjera, do kemi goxha të reja.
