Ushtria izraelite njoftoi dje nisjen e një “operacioni të madh kundër terrorizmit” në pjesën veriore të Bregut Perëndimor të pushtuar, një ndërhyrje që synon goditjen e grupeve palestineze të armatosura dhe parandalimin që “terrorizmi të zërë rrënjë në rajon”.
Sipas ushtrisë, bëhet fjalë për një operacion të ri dhe jo vazhdim të fushatës së janarit 2025, megjithëse nuk janë dhënë detaje shtesë mbi objektivat apo zonat e sakta të ndërhyrjes . Ndërkohë, raporte nga terreni tregojnë se qindra ushtarë izraelitë, të mbështetur nga helikopterë dhe mjete të blinduara, hynë në qytetin Tubas, rrethuan zonat kryesore, morën nën kontroll çatitë dhe urdhëruan një numër të madh banorësh të largoheshin menjëherë nga shtëpitë e tyre, ndërsa operacioni vazhdon . Ky zhvillim vjen në sfondin e një spiraleje të pandërprerë dhune që shpërtheu pas luftës së Gazës, ku më shumë se një mijë palestinezë janë vrarë nga ushtria dhe kolonët izraelitë që nga tetori 2023, përfshirë luftëtarë dhe civilë, ndërsa të paktën 43 izraelitë janë vrarë në sulme palestineze ose gjatë bastisjeve ushtarake.
Organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut paralajmërojnë se shkatërrimet e banesave, dëbimet dhe kufizimet e lëvizjes po e thellojnë krizën humanitare, duke e bërë jetën të paqëndrueshme për mijëra palestinezë që rrezikojnë të humbasin shtëpitë dhe mjetet e jetesës, ndërsa komuniteti ndërkombëtar shpreh shqetësim për rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm.
