Qarku i Korçës është goditur nga reshje të vazhdueshme gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, të cilat kanë shkaktuar një sërë problemesh në disa bashki. Prefektura njofton se strukturat e emergjencave, zjarrfikësit dhe OSHEE po punojnë intensivisht për menaxhimin e situatës.
Në qytetin e Korçës, uji ka depërtuar në ambientet e Prokurorisë, duke krijuar probleme në bodrum dhe në arkivë. Ekipet ndërhynë gjatë gjithë natës për thithjen e ujit dhe aktualisht situata paraqitet e stabilizuar.
Problematika më të shumta janë evidentuar në bashkinë Maliq, ku reshjet kanë shkaktuar mungesë energjie në Bllokun 3, pasi OSHEE ka stakuar energjinë për shkak të prezencës së ujit. Në Sovjan, shërbimi i emergjencave ka evakuuar banorë, bagëti dhe koshere bletësh, ndërsa në Leshnjë janë raportuar bagëti të mbytura. Edhe në lagjen përballë fshatit Vlocisht, banesat janë përmbytur në oborre dhe ndërhyrja për largimin e ujit vijon. Ndërkohë, lumi Dunavec është çarë në dy pika duke përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme tokash bujqësore, dhe po pritet mbërritja e mjeteve të rënda nga Pogradeci për ndërhyrje.
Në bashkinë Pustec, përroi rrezikon të dalë nga shtrati në rrugën kombëtare Doganë–Goricë e Vogël, ndërsa në aksin Zvezdë–Goricë, inertet e sjella nga reshjet kanë dëmtuar qarkullimin, por kontraktori ndodhet në terren për pastrimin e rrugës.
Edhe bashkia Devoll është prekur ndjeshëm nga moti i keq. Situata në fshatin Progër mbetet problematike, ndërsa në Mancurisht dhe Dobranj janë shënuar përmbytje tokash bujqësore dhe daljet e përroskave nga shtrati. Në rrugën Miras–Arrëz janë shënuar shkarje dherash dhe gurësh, ndërsa në Poloskë një banesë është përmbytur dhe gjatë natës shërbimet vendosën pompë për largimin e ujit. Problematika me rrëshqitje janë raportuar edhe në zonën e Qytezës.
