Elbasani i shpëton problemeve madhore nga moti i keq – ndërprerjet e energjisë mbeten sfida kryesore

Data

Edhe qarku i Elbasanit është përfshirë nga moti i keq gjatë orëve të fundit. Raportohet për shira të rrëmbyeshëm dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona malore.

Prefektura e Elbasanit ka publikuar edhe informacionin zyrtar të orës 10:30, mbi gjendjen e motit dhe situatën në terren pas reshjeve të ditëve të fundit. Sipas të dhënave nga Emergjencat Civile, në qarkun Elbasan nuk ka reshje shiu që prej orës 05:00 të mëngjesit, ndërsa aktualisht moti paraqitet me vranësira, por pa probleme të evidentuara.

“Të gjitha 7 bashkitë e qarkut; Elbasan, Librazhd, Gramsh, Peqin, Belsh, Cërrik dhe Prrenjas raportojnë situatë të qetë dhe pa ngjarje që lidhen me emergjencat hidrike apo infrastrukturore. Nga komunikimi i vazhdueshëm me sallën operative, nuk janë konstatuar probleme në komunitet, duke e vlerësuar situatën si të stabilizuar”, thuhet në njoftim.

Por problematikat lidhen më shumë me ndërprerjen e energjisë elektrike, teksa grupet e OSHEE po punojnë për riparimet e disa defekteve të shkaktuara kryesisht në zonat malore. Punime të dedikuara po zhvillohen në: Orenjë, Lunik, Polis dhe Xhyrë, Bashkia Librazhd, Skënderbegas, Bashkia Gramsh, Stravaj, Bashkia Prrenjas.

“Lidhur me qarkullimin rrugor, të gjitha akset nacionale dhe rurale janë të hapura dhe të kalueshme. Deri në momentin e raportimit, nuk janë shënuar bllokime, rrëshqitje apo prani rreziku në rrugë. Strukturat e Emergjencave Civile të Prefekturës së Elbasanit konfirmojnë se vijojnë monitorimin e pandërprerë të situatës meteorologjike, furnizimit me energji dhe gjendjes së infrastrukturës, duke qenë në gatishmëri për çdo zhvillim të mundshëm”, sqaron Prefektura.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related