Partia Demokratike ka kërkuar që ditën e nesërme në seancë të mos miratohet paketa fiskale, pasi deputetëve i është dhënë vetëm 24 orë për t’u njohur me të. Ne Kuvend ka shkuar me datë 14 dhe vetëm një ditë më parë është futur për diskutim në komisione, duke i hequr mundësinë për konsultime me grupet e interesit. Sa i përket kërkesës së Partisë Demokratike për mocion me debat për “situatën e krimit në vend”, mazhoranca kërkon që debati të shtyhet për një seancë tjetër parlamentar.
Gazment Bardhi: Ne nuk mund ta shtyjmë, sepse rregullorja përcakton që mocioni duhet të zhvillohet brenda 30 ditëve. Ne kemi dëgjuar institucionet e sigurisë, por mocioni lidhet me qeverinë. Pra, kërkon të njihet dhe të debatohet mbi masat që ka marrë qeveria. Kërkesa vjen në kuadër të raporteve ndërkombëtare që flasin për rritjen e fuqisë së krimit të organizuar dhe çmoj se është pikërisht momenti që të zhvillohet ky debat. Unë propozoj që debatit t’i caktohet data 18 dhjetor, sepse atë ditë parashikohet një seancë që ka vetëm njoftime dhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës. Shtoni një pikë në rendin e ditës, që të jetë pikërisht debati për masat e qeverise në raport me krimin e organizuar.
