Vdekja e Daorsa Spahija, studentes nga nga Gjakova e cila dyshohet se i dha fund jetës tragjikisht më 5 nëntor në Tetovë duke u hedhur nga ndërtesa, ka ngritur hije dyshimi.
Shoku i saj Arbër Zhubi pretendon se ajo u vra nga i dashuri. Sipas tij, Daorsa Spahija është shtyrë nga lartësia e ndërtesës nga partneri, duke ngritur dyshime se policia në Maqedoni të Veriut e ka fshehur të vërtetën.
“Personi pasi ka shtyrë vajzën rreth orës 16:15, ka zbritur poshtë, dhe e ka konfirmuar vdekjen e shoqes sonë, Daorsës, pra personi Hevzi Sejdiu, më pas, kamerat e sigurisë janë rreth pesë ose gjashtë kamera që përfshijnë hyrjet e apartamenteve, garazhe që kanë pamje të jashtme”, deklaroi ai për Klan Kosova.
Ky i fundit në një llogari në rrjetin social Instagram ka publikuar një video ku ndan disa detaje nga jeta e 24-vjeçares, duke u shprehur se kjo e fundit ishte në një romancë prej dy vitesh me 31-vjeçarin, por që sipas tij nuk ishte në dijeni që ishte i martuar dhe kishte tre fëmijë.
“Hevzi Sejdiu, 31-vjeçar njihet si kriminel në Maqedoni, edhe pse pati tre fëmijë dhe grua u përfshi në jetën e Daorsës, nuk e informoi që ka grua dhe fëmijë, u njoftua me familjen e vet deri në momentin kur u zbulua e vërteta. Hevzi Sejdiu u lirua disa muaj më parë për trafikun e dhjetëra armëve. Nëse ai do të ishte në burg, nuk kishim ardhur në këtë situatë”, u shpreh ai.
“Ajo u desh të diplomonte më 13 nëntor, nuk diplomoi se një kriminel e ka gënjyer, ai nuk ka treguar që ka familje, të dashur e partnere. U përfshi në jetën e saj dhe kur u kuptua e vërteta, e ka kërcënuar, shantazhuar dhe ia ka rrëmbyer dokumentacionin. Nuk e pati zgjidhjen të shkonte as në stacionin e policisë, kjo ka vazhduar me vite. Mbi 2 vjet lidhje me gjendje mentale të rënduar”, tha ai.
24-vjeçarja është vajza e ish-ushtarit të UÇK-së, Arbër Spahija, ndërsa u varros më 7 nëntor në varrezat e qytetit të Gjakovës.
