Një vit pas lirimit nga burgu, 47-vjeçari Gilmando Dani është ekzekutuar këtë pasdite (11 nëntor) në dalje të aeroportit të Rinasit vetëm pak metra larg komisariatit të Policisë.
Në atentat ka mbetur i plagosur rëndë edhe Muçi Shaljani, 40 vjeç, punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), institucioni që mbikëqyr vetë forcat e rendit.

Dinamika e ngjarjes sipas kamerave të sigurisë
Gilmando Dani sapo kishte ardhur nga Barcelona dhe është pritur në Rinas nga Muçi Shaljani. Ata hipin brenda mjetit tip “Mercedes Benz“ dhe sapo janë afruar pranë rrethrrotullimit të Rinasit, të shtëna me armë kanë nisur drejt tyre nga një mjet tjetër tip “Toyota“ blu e errët.
Menjëherë pas të shtënave, një person zbret nga dera e mjetit tip Toyota, i afrohet Benzit, hap derën e pasagjerit dhe qëllon disa herë me armë zjarri duke lënë të vdekur Danin dhe të plagosur rëndë Shaljanin.
