Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Tuzlës, në verilindje të Bosnjë dhe Hercegovinës, ku një zjarr masiv ka përfshirë një azil pleqsh, duke shkaktuar të paktën 10 viktima dhe rreth 20 të plagosur.
Zjarri shpërtheu gjatë natës, rreth orës 21:00 (me orën lokale), në një ndërtesë ku strehoheshin dhjetëra të moshuar, shumë prej tyre me lëvizshmëri të kufizuar. Flakët u përhapën me shpejtësi, duke e bërë të vështirë evakuimin, ndërsa shërbimet zjarrfikëse angazhuan mbi 20 efektivë dhe mjete të shumta për ta vënë nën kontroll situatën.
Sipas mediave lokale, disa nga viktimat mbetën të bllokuara në dhoma plot tym, ndërsa pjesa tjetër u shpëtua me simptoma të rënda dehjeje nga tymi. Imazhet nga vendngjarja tregojnë ndërtesën të dëmtuar rëndë, me çatinë pjesërisht të shembur.
