Meteorologia Anira Gjoni, e ftuar në një studio televizive, ka bërë parashikimin e motit për javën në vijim, për muajin nëntor, si edhe për dimrin që pritet të vijë. Sipas saj, Shqipëria do të përjetojë një nëntor me temperatura më të larta se mesatarja shumëvjeçare dhe reshje lokale kryesisht në zonat malore. Gjoni theksoi se deri të mërkurën do të ketë reshje të izoluara në veri dhe veriperëndim të vendit, ndërsa më pas pritet përmirësim i kushteve atmosferike.
Meteorologia shtoi se përgjatë gjithë muajit nëntor, temperaturat do të mbeten të ngrohta, duke luhatur nga 16 deri në 20 gradë Celsius në zonat bregdetare, dhe 9 deri në 15 gradë në zonat malore.
“Deri të mërkurën do të kemi reshje lokale kryesisht në zonat malore, si Kukës e Lezhë. Gjatë ditës së mërkurë do të kemi kthjellim të motit. Për fatin tonë të mirë. Ne jemi të mbrojtur, nga masat ajrore që lëvizin në Itali dhe nga masat ajrore të ftohta. Jemi më të mbrojtur për shkak të pozicionit tonë gjeografik. Kemi fatin për të mos u përballur me përmbytje masive, apo stuhi. Përgjatë nëntorit nuk presim që të kemi rënie drastike të temperaturave. Temperaturat do të vazhdojnë të larta. Në bregdet temperaturat do të shkojnë 16-20 gradë, në vendet e ulëta 15-19 gradë dhe në zonat malore 9-15 gradë. Kjo tregon që kemi temperatura relativisht të larta, do të vazhdojnë të tilla përgjatë muajit.”
