“Patronazhistët, nga qytetarë aktivë në ‘banditë’ politikë”

Data

Në fjalorin e përditshëm politik, individësh me apo pa parti, të angazhuar në fushatë zgjedhore të jesh patronazhist të etiketojnë baraz me bandit. Etiketimi bandit i mijëra mbështetësve, të cilët luajnë një rol të veçantë në mobilizimin e votuesve është bërë tashmë virale. Një modë nga e cila duhet të kesh frikë,të ruhesh nga lumi i akuzave dhe fyerjeve të kundërshtarëve politikë. Në të ardhmen kjo sipas kërkesës së deputetëve demokratë edhe nga burgu. Patronazhistët cilësohen si manipulatorë dhe propogandues për të mashtruar qytetarë të thjeshtë për të votuar një parti të caktuar. Në realitet patronazhistët nuk janë ekskluzivitet shqiptar. Përkundrazi. Edhe vetë emërtimi nuk është nga fjalori shqip. Nuk ka vend të botës të mos angazhohen individë, burra dhe gra, të rinj e të reja, intelektualë e punëtorë me reputacion, të mos mobilizojnë mbështetës për të punuar në terren në takime me qytetarët për të shpjeguar programin e partive politike që përfaqësojnë. Të tillë gjen kudo, nga qendrat e mëdha urbane, deri në fshatrat më të thella, atje ku edhe sinjali televiziv në jo pak raste mungon.

Pa patronazhistët këta votues do mbeteshin në terr dhe në jo pak raste individë të veçantë do ngjasonim me skuadrat e ushtarëve në Luftën e Dytë Botërore, të cilët për mungesë informacioni nuk e kishin mësuar se lufta kishte mbaruar dhe për rrjedhojë ata qëndronin ende në llogore në pritje të sulmeve të ushtrive armike, tanimë të kapitulluara. Urrejtjen më të madhe për rolin e patronazhistëve e demonstron në mënyrë të përditshme Partia Demokratike dhe së pari Kryetari i saj,Sali Berisha. Pas tij avazi vazhdon me të njëjtin ritëm nga drejtues të tjerë të partisë. Akuzat ndaj atyre që bëjnë një shërbim vullnetar për pasion dhe mbështetje të partisë që simpatizojnë është derdhur llum me baltë. Gati gati janë etiketuar edhe kriminelë lufe. Pa përjashtim janë shpallur armiq të demokracisë, si të ishin jo qytetarë me vlera, por banditë të organizatave kriminale. Kush i njeh patronazhistët e kupton se janë qytetarë me vlera të spikatura, të edukuar dhe të mirinformuar që dinë të komunikojnë me urtësi dhe dinjitet, pa imponim apo frikësim. Arma e tyre e vetme është fjala. Është sjellja si qytetarë vullnetmirë që nuk janë në këtë mision për përfitime individuale, por për t’i shërbyer një kauze dhe ideali në të cilën besojnë. Ata nuk shkojnë tek qytetarët me xhepat të mbushur me para. As me dhurata.

Po me letra dhe programe, duke frymëzuar qytetarët dhe sqaruar përse duhet votuar për forcën politike në emër të së cilës flasin. Janë individë që u ngjit fjala sepse flasim me fakte dhe jo për propagandë. Ata nuk janë mashtrues ordinerë, cuba, agjitatorë ideologjik po qytetarë të dinjitetshëm, që duan me shpirt demokracinë dhe luftojnë për lirinë shoqërore dhe individuale. Partia Demokratike, që anatemon më shumë veprimtarët e kundërshtarëve politikë në këto tri dekada, patronazhistët i ka patur “ushtrinë” pararojë për të arritur qëllimet e veta elektorale. Ndryshe nga patronazhistët normalë ka ngritur grupe të armatosura në emër të mbrojtjes së votës. Grupime të veshura me uniforma dhe emërtime specifike, siç ka qenë grupimi i mbrojtje së votës, “Azem Hajdari” duke abuzuar me emrin dhe veprimtarinë e tij në vitet e para të demokracisë. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 grupime për mbrojtjen e votës nuk ishin thjesht patronazhistë të fjalës, por individë, shumica me të kaluar ushtarake të përgatitur për të vepruar me kërcënime deri edhe me përdorim të armëve. Ngjarjet në Elbasan apo Kavajë e gjetkë, që u shoqëruan me plagosje deri dhe vrasje nga persona të armatosur nga i komanduari për mbrojtjen e votës, Gazmendi Bardhi, sot kryetar i grupit parlamentar të PD,vrau veprimtarin socialist, doktor Xhuvanin.

Dhe ai që qëlloi ishte pjesë e elitës ushtarake, por i marrë në qafë nga ata që anatemojnë patronazhistët normalë, të ngjashëm me tërë homologët në botë. Mendoni për një çast sikur një patronazhit nga radhët e socialistëve të kishte kryer një akt të tillë ndaj një veprimtari demokrat deri ku do dëgjohej krisma dhe si do shfrytëzohej nga opozita. Do ngrihej furtuna deri në qiell, do digjej Elbasani dhe Kavaja. Sot antipatronazhistët janë egërsuar edhe më shumë. I kanë shpallur banditë të bandës në pushtet. Etiketim ky jashtë çdo logjike dhe anatemim vetëm se llogariten si mbështes të mazhorancës. Aq urrejtje ushqehet për ta sa në Kuvendin e Shqipërisë ditën e llogaridhënies të krerëve të drejtësisë, deputetë oratorë të opozitës kërkuan urgjentisht marrjen nën hetim të tyre nga SPAK si të ishin vërtetë vrasës apo individë me prirje kriminale. Iu kërkua llogari dhe gati iu imponua, Altin Dumanit të marrë në hetim çdo patronazhist që iu shërben socialistëve. Ky ultimatum nga Dumani morrin përgjigje profesionale të balancuar. Ai iu drejtua deputetëve opozitarë me sugjerimin: shpalleni krim patronazhimin të veprojmë me forcë për t’i ndaluar.

Përgjigjja kuptohet nuk u vlerësua nga deputetët që këmbëngulin në arrestimin e mijëra militantëve, vullnetarisht të angazhuar si patronazhistë në mbështetje të mazhorancës. Ja u arrestuan ata mijëra individë patronazhistë të mazhorancës. Po me ata që mbështesin partitë e tjera si do bëhet? Do arrestohen edhe ata? Apo do gjykohen si patronazhistë engjëllorë, të mirët e të ëmblit, të drejtët e të devotshmit?! Se ata janë demokratikas dhe të tjerët banditë të regjur? Barazimi i patronazhistëve me banditët, një etiketim ky shumë i përhapur nga opozita dhe një melodi që na shoqëron prej vitesh, është vërtetë një qëndrim i papranueshëm. Është jashtë çdo logjike dhe anti demokratike. Ultimatumi në kuvend prej deputetëve opozitarë për linçim të tyre është shpallje lufte kundër mijëra shqiptarëve, të cilët nuk bëjnë asgjë të kundraligjshme. Ata nuk janë faktor i humbjes të opozitës.

As armiq të demokracisë. Janë njerëz të zakonshëm të këtij vendi që kontribuojnë në emër të demokracisë dhe shfrytëzojnë të drejtën e fituar me vendosjen e sistemit demokratik në Shqipëri. Është e turpshme dhe keqdashëse denigrimi baltosja, anatemimi dhe akuzat sikur të ishin kriminelë antiopozitë. Patronazhistë do ketë gjatë gjithë kohës. Sa herë të bëhen zgjedhje ata do jenë pararoja e fushatave elektorale. Do hiqen nga ky mision fisnik vetëm në se me ligj shpallen non grata.? Po kjo besojmë se nuk ka për të ndodhur pasi janë pjesa më e përkushtuar dhe e demokratizuar e shoqërisë. Nuk kanë vetëm emrin Socialistë, Demokratë, Ballistë, Agraristë. Janë të gjithë shqiptarë të devotshëm në shërbim të forcimit të demokracisë. Në fund dëshiroj të zbuloj një “sekret” :Edhe unë jam një nga mijëra patronazhistët. Vetëm për cilën parti bëj patronazhistin rezervoj të drejtën të mos e shpall publikisht këtë herë, jo pa qëllim po më pengon frika për ndëshkim!

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related