Kërcënimi nga kriminaliteti i organizuar në Gjermani është mjaft i lartë. Në këtë konkluzion arrihet në raportin mbi gjendjen gjatë vitit 2024, kur janë hetuar gjithsej 647 procese për shkak të kriminalitetit të organizuar. Shifra krahasuar me vitin 2023 mbetet pothuajse konstante. Megjithatë kjo është shifra e dytë më e lartë brenda dhjetë vjetësh. Më shpesh sipas BKA-së është identifikuar kriminaliteti me drogat – me rreth 260 procese ky është sektori me pjesën më të madhe të veprave penale në kuadrin e kriminalitetit të organizuar.
Pasojnë rastet e kriminalitetit ekonomik rreth 110 procese, krime fiskale dhe doganore me rreth 60 procese. Ngjashëm ka pasur shumë procese për kriminalitetin me kontrabandim njerëzish dhe çështje pronësie. Një kuotë dukshëm më të ulët me katër përqind të të gjithë proceseve ka pasur hetime kundër grupeve të kriminalitetit kibernetik.
Në këtë kategori dëmi i shkaktuar është masiv: Sipas raportit të BKA-së mbi situatën me kriminalitetin në Gjermani, në fushën e krimit kibernetik vlera e dëmit të shkaktuar është rreth 1,7 miliard euro: Kjo shumë përbën gjysmën e dëmit financiar të shkaktuar nga kriminaliteti i organizuar në përgjithësi. Gjithsej BKA dëmin financiar në vitin 2024 e përllogarit me rreth 2,64 miliard euro.
