Komisioni i Venecias ka kërkuar ditën e djeshme që partitë politike mos të ndryshojnë Kodin Zgjedhor sa herë që ka zgjedhje në Shqipëri. Gjatë konferencës për 30-vjetorin e partneritetit mes vendit tonë dhe komisionit, Gjyqtari Oliver Kask nga Komisioni i Venecias, ka deklaruar se ndryshimi i Kodit Zgjedhor para zgjedhjeve është një metodë që nuk mund të përdorët më. Në fjalën e tij, Kask teksa e krahasoi situatën me ndeshjet sportive, theksoi se rregullat duhet të vendosen nga të gjitha skuadrat dhe jo vetëm nga një ekip. “Nuk do të ishte një sport argëtues nëse rregullat e një ndeshjeje ndryshoheshin para çdo loje.
Askush nuk do të kuptonte çfarë po ndodh dhe askush nuk do t’i besonte, veçanërisht nëse rregullat nuk do të vendoseshin nga disa burokratë të FIFA-s, por nga njëra prej ekipeve. Po kështu edhe në zgjedhje, stabiliteti i ligjit zgjedhor është një nga elementët kyç për të garantuar besimin në proceset zgjedhore”, deklaroi Kask. Kurse president i Këshillit për Zgjedhje Demokratike njëherësh anëtar i Komitetit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës Pablo Hispan nënvizoi dje nevojën për hartimin e një Reforme Zgjedhore gjithëpërfshirëse në Shqipëri. “Stabiliteti i sistemit zgjedhor është shumë i rëndësishëm për të garantuar besimin te procesi zgjedhor në mënyrë që rezultatet e zgjedhjeve të jenë të pranuara gjerësisht. Mendimet e Komisionit të Venecias kanë përcaktuar se legjislacioni për zgjedhjet aktualisht në Shqipëri në parim është i përshtatshëm për të kryer zgjedhje, nëse do zbatohet si duhet dhe me besimin e duhur. Ndaj reforma zgjedhore duhet të sigurojë që dispozitat ligjore të zbatohen”, tha Hispan.
Reagon PS dhe PD
Nga ana e Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri deklaroi se në ditën në vijim Kuvendi i Shqipërisë do të miratojë një komision të përbashkët me bashkëkryesim ku është rënë dakord edhe lidhur me përfaqësimin e barabartë mazhorancë-opozitë. Gjiknuri theksoi se mbeten për tu adresuar shumë nga rekomandimet e ODIHR-it, që nuk u adresuan reformën e kaluar. “Venecia ka qene bashkudhëtar i përhershëm i reformës zgjedhore. Giani Buquicchio ka thënë qe Shqipëria ka qene klient i përhershëm. Unë e shoh me doza ironike. Fakti qe pas çdo reforme ti drejtohemi Venecias si pacient nuk vete shërohemi por kërkojmë mjek. Odihr të gatshëm të sjell ekspertë për të asistuar dialogun. Objektivi është Stabilitet zgjedhor dhe ligj zgjedhor para zgjedhjeve. Uroj që mos jemi më pacientë të pashërueshëm të Komisionit të Venecias.
Do të kemi përfaqësim të barabartë por do të ketë përfaqësim edhe nga paritë e vogla që janë pjesë e Kuvendit, por nuk janë pjesë e grupeve parlamentare. Kjo duke ruajtur një balancë të pastër edhe për sa i përket ekuilibrit mazhorancë-opozitë duke krijuar premisat për konsensus”, deklaroi Gjiknuri. Ndërsa nga ana e PD-së, Oerd Bylykbashi ka deklaruar se zgjedhjet në Shqipëri janë kthyer në një sëmundje autoimune për sistemin. Deputeti demokrat theksoi se ky sistem zgjedhor duhet të ikë dhe jetë një sistem diskutimi, ndërsa solli në vëmendje problemet kryesore nga shitblerja e votës te përdorimi i institucioneve shtetërore. “Sistemi zgjedhor duhet të kthehet në një sistem diskutimi. Ky sistem duhet të ikë. Shtetit dhe partia janë një. Partia shtet po përfiton nga pushteti që ka, jemi 35 vite pas. Shitblerja e votës është një problem sot. Përdorimi i përdorimeve shtetërore për interes të partisë shtet. Jemi para parimit të rënies së shtetit të së drejtës. Njerëzit nuk kanë besim të administrata zgjedhore. Vota e diasporës është një problem gjigand. Mosbesimi shoqëron këtë proces në çdo hallkë. A do të ketë vullnet politik për një reformë zgjedhorë të mirë dhe duke mbajtur përgjegjësi për ato që nuk kanë shkuar mirë”, deklaroi Bylykbashi.
Reagon KQZ
Ndërkohë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili ishte dje pjesë e tryezës së reformës zgjedhore në Konferencën me temë “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias, u shpreh se mazhoranca dhe opozita duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të pasur ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Nëse reforma shtyhet, sipas tij, do të jemi sërish në të njëjtën situatë. “Mendoj që mazhoranca më së shumti mbi të gjitha dhe opozita duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të pasur ndryshimet që duhet të dakordësohen sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse Reforma Zgjedhore do të vijojë të shtyhet dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor do datojnë vetëm disa muaj para zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, pasi atyre po i referohem, mendoj që do të jemi në të njëjtën situatë. Dikush do fitojë zgjedhjet, ai që do humbasë do kontestojë dhe do thotë që i humbëm për këtë ose për këtë arsye”, tha Celibashi. Sipas Celibashit, nëse Kodi i ri Zgjedhor miratohet brenda një viti, ka premisa për përmirësimin e standardit të zgjedhjeve të ardhshme. Gjatë konferencës, Celibashi foli dhe për përbërjen e komisioneve zgjedhore. Sipas tij është koha për të larguar përbërjen vetëm politike dhe partiake të këtyre komisioneve. Kryekomisioneri u shpreh edhe kundër propozimit të mazhorancës që komisionet të formohen vetëm me nëpunës të administratës civile. “Me mënyrën e organizimit dhe funksionimit të komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta. Përbërja vetëm politike partiake e këtyre komisioneve nuk kontribuon në integritetin procesit zgjedhor, në transparencë, apo elementë të tjerë. Nuk jam për opsionin që propozon mazhoranca ku të gjithë anëtarët të jenë nëpunës civil. Mendoj që akoma nuk është koha që përbërja politike të përjashtohet tërësisht nga procesi zgjedhor, por roli i tyre nuk duhet të jetë parësor, nuk do duhet të jetë parësor. Ka formula hibride që nuk cenojnë standardin teknik të administrimit të procesit”, tha Celbashi. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve tha se duhen rikonsideruar edhe rregullat që kanë të bëjnë me organizimin dhe funksionimin e partive politike, financimin e tyre periodik dhe veçanërisht financimin e fushatave zgjedhore të partive politike dhe subjekteve zgjedhore. Një tjetër çështje ishte edhe ajo e rregullave për fushatën zgjedhore. “Rregullat për fushatën zgjedhore. Në Kodin Zgjedhor, rregullat adresojnë zhvillimin e fushatës në mediat tradicionale, asgjë për mediat sociale”, tha Celibashi. Ai tha se duhet vendosur për mënyrën e votimit, nëse do të jetë elektronik apo jo si dhe duhet të rishikohen rregullat për ankimimet zgjedhore.
