GJKKO ka dënuar me rreth 22 vite burg 4 të pandehurit Besjan Ramaj, Leonard Ramaj, Ardjan Malasi dhe Rajmonda Dashi, ish-drejtoreshë e Kadastrës së Durrësit, të akuzuar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Të katërt u shpallën të pafajshëm për akuzën e “grupit të strukturuar kriminal”.
Konkretisht, Besjan Ramaj u dënua me 10 vite burg, i reduktuar përfundimisht në 6 vite e 8 muaj; Leonard Ramaj u dënua me 7 vite e 6 muaj burg, i reduktuar në 5 vite për të njëjtën vepër penale; Ardjan Malasi mori një dënim prej 9 vitesh, i reduktuar përfundimisht në 6 vite burg. Ndërsa ish drejtoresha e Kadastrës në Durrësit, Rajmonda Dashi u dënua me 7 vite, por pas uljes për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar është 4 vite e 8 muaj, me pezullim të ekzekutimit dhe vendosje në provë për 3 vite.
Gjykata vendosi gjithashtu sekuestrimin e disa pajisjeve elektronike, dokumenteve dhe shumave të parave, të cilat konsiderohen prova materiale në këtë çështje. Disa prej tyre do t’u kthehen të pandehurve dhe një pale të tretë, ndërsa pjesa tjetër do të qëndrojë në fashikullin gjyqësor si prova.
- Pastrimi i 1.25 milionë eurove
Ardian Malasi rezulton ortak dhe administrator i shoqërisë ‘Ledio 04’ dhe person i afërt me vëllezërit Ramaj. Këta të fundit janë dënuar në vitin 2021 nga autoritetet belge për vepra penale të lidhura me fushën e narkotikëve. Besjan Ramaj rezulton të jetë dënuar për vepra të njëjta penale edhe në vitin 2012, nga autoritetet e drejtësisë norvegjeze.
Referuar hetimeve të kryera nga SPAK, për 13 vite nga viti 2010 deri në 2023, vëllezërit Besjan dhe Leonard Ramaj së bashku me të njohurin e tyre Ardjan Malasin, kanë investuar në pasuri të paluajtshme në vendin tonë, kanë kryer shitblerje dhe transferime pronësish e veprime financiare fiktive me qëllim pastrimin e të ardhurave. Sakaq, ata janë ndihmuar prej ish drejtores së Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi që prej vitit 2018.
Prokuroria e Posaçme zbuloi se shuma e përgjithshme e pastrimit të parave të përfituara nga aktiviteti kriminal i këtij grupi të strukturuar është 1,250,000 euro dhe 9,000,000 lekë. Paratë e aktiviteteve kriminale të vëllezërve Ramaj, jepeshin në dorë tek firma ‘Ledio 04’ me administrator Ardjan Malasin në Shqipëri e cila i investonte në pasuri të paluajtshme.
“1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 18, të vitit 2023, në ngarkim të të pandehurve Besjan Ramaj, Leonard Ramaj, Ardjan Malasi dhe Rajmonda Dashi”.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Flora Hajredinaj, me vendimin Nr. 65, datë 17.10.2025 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Besjan Ramaj për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal dhe dënimin e tij me 10 vite burgim.
2. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Besjan Ramaj për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i parë i K.Penal.
3. Në zbatim të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Besjan Ramaj i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 6 vite e 8 muaj burgim.
4. Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
5. Deklarimin fajtor të të pandehurit Leonard Ramaj për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal dhe dënimin e tij me 7 vite e 6 muaj burgim.
6. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Leonard Ramaj për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i K.Penal.
7. Në zbatim të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Leonard Ramaj i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 5 vite burgim.
8. Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
9. Deklarimin fajtor të të pandehurit Ardjan Malasi për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal dhe dënimin e tij me 9 vite burgim.
10. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ardjan Malasi për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i K.Penal.
11. Në zbatim të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Ardjan Malasi i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 6 vite burgim.
