Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, folën shkurtimisht para gazetarëve pas mbërritjes së Trump në qytetin Sharm El-Sheikh, ku po mbahet samiti për paqen në Rripin e Gazës.
“Është kënaqësi dhe nder i madh që ju kemi këtu në qytetin e paqes,” u shpreh Sisi, duke e përshëndetur presidentin amerikan përpara mediave. “Jam plotësisht i bindur se ju jeni i vetmi që mund ta realizoni këtë dhe t’i jepni fund kësaj lufte,” shtoi ai. “E kam thënë shumë qartë edhe gjatë bisedës sonë: ju jeni i vetmi që mund të sillni paqen.”
Sipas Sisit, tani sfida kryesore për liderët është të sigurojnë që armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit të ruhet, trupat e pengjeve të vrarë të rikthehen tek familjet e tyre dhe ndihma humanitare të lejohet të hyjë në Rripin e Gazës.
“Etapat e ardhshme të planit të armëpushimit duhet të përpunohen me shumë kujdes,” shtoi ai.
Në fund, presidenti egjiptian theksoi se Egjipti pret mbështetjen dhe sponsorimin e SHBA-së në Konferencën për Rindërtimin e Gazës, që pritet të zhvillohet së shpejti.
