Pasi fitoi një nga betejat më të vështira dhe të rëndësishme brenda Partisë Socialiste, atë kundër Erion Veliajt, oreksi për pushtet i Belinda Ballukut nisi të shtohet ndjeshëm. Në karrigen e zv/kryeministres, por edhe në drejtim të një prej ministrive më të rëndësishme në vend prej shumë vitesh, Balluku e ka konfirmuar veten si numri 2 i PS-së, por ky oreks i shtuar duket se po e shtyn të provojë diçka më të madhe, dominimin e Partisë Socialiste. Synimi që ka është shumë i vështirë, madje pothuajse i pamundur, pasi kryeministri Edi Rama ka treguar se sapo sheh një rrezik të vogël, të hedh menjëherë në “gojën” e drejtësisë. Dhe aferat e Ballukut nuk janë të pakta. Por, hapat e parë kanë nisur dhe janë domethënës, pasi Balluku po largon një nga një të gjithë ata që Rama i ka patur afër prej vitesh, duke mos i përfshirë në punët e rëndësishme brenda partisë dhe në fushata elektorale.
Goditja e Spiropalit
Një tjetër figurë socialiste që Balluku po tenton ta largojë sa më shumë nga Rama është Elisa Spiropali. Pas “dushit të ftohtë” në mbledhjen e grupit parlamentar kur Spiropali ishte kryetare Parlamenti, me zv/kryeministren që e akuzoi se i jepte shumë kohë opozitës për të folur pasi kishte frikë nga akuzat e tyre për lidhjen e saj me krimin, erdhi edhe lëvizja tjetër. Në fushatën për 9 Nëntorin, Spiropali nuk figuron fare në listat e drejtuesve politikë të kryeqytetit, pavarësisht se kishte qenë e tillë në fushatën për zgjedhjet e 11 Majit. Madje, Balluku ka vendosur si drejtues politik në kryeqytet edhe njeriun e saj më të besuar Ceno Klosin, që kandidoi në qarkun e Fierit. Për Spiropalin, tashmë bëhet edhe më e vështirë të jetë pjesë e rëndësishme e Partisë Socialiste, pasi Balluku i ka qëllimet e qartë. Në sytë e zv/kryeministres, ajo është një armike për synimin e saj të madh, të zërë vendin e Edi Ramës. Belinda Balluku i ka nisur manovrat duke larguar pak nga pak njerëzit e besuar të Ramës, për të arritur te lëvizja e fundit, katapultimi në krye të PS-së. Ajo e di mirë se nuk ka garanci të madhe si numri 2 i partisë, pasi në komunizëm, nuk ka numër 2. Shembulli “Ahmetaj” ishte mëse i qartë.
