UEFA ka vendosur që mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të zhvillohet në Tiranë më 11 shtator 2025, duke shënuar herën e parë që forumi më i lartë vendimmarrës i futbollit europian mbahet në Shqipëri – një moment historik për vendin.
Agjenda e ditës së punës, që zhvillohet nga ora 14:00 deri në 17:00 CET, përfshin pika kyçe si:
- Caktimi i vendit pritës për Finalen e Ligës së Kampionëve 2027, Finalen e Ligës së Kampionëve të Femrave 2027, Finalet e Futsal Champions League 2026, Under-19 Euro Futsal 2027 dhe Women’s Futsal EURO 2027.
- Miratimi i pagesave ekstra për përfaqësueset në Women’s Nations League Finale 2025.
- Përditësime në rregullat e Kampionatit Evropian të Futsal për Femra dhe Kualifikueset e FIFA Futsal Botërori 2028.
Në orët e para të mëngjesit, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” në Tiranë, presidenti i UEFA-s Aleksander Čeferin së bashku me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, inauguruan një festival futbolli për fëmijët, pjesë e programit “Football in Schools”. Mbi 100 nxënës morën pjesë në aktivitetet sportive, të shoqëruara nga ambasadorët e UEFA-s, Luís Figo dhe Aljoša Asanović, si dhe figura të njohura lokale.
