Intervista e kryeministrit Edi Rama për revistën gjermane “Zeit Magazin” ka rikthyer vëmendjen e mediave të huaja mbi udhëheqësin shqiptar, por gjithashtu ka ngjallur kritika për mënyrën sesi u zhvillua dhe për përmbajtjen e saj.
Gazetari i “Übermedien”, Krsto Lazarevic, e ka cilësuar intervistën si “më shumë një shfaqje për t’iu përshtatur audiencës sesa një dialog kritik mbi politikën e kryeministrit”. Sipas tij, pyetjet e paraqitura ishin të orientuara mbi gjatësinë fizike të Ramës dhe aktivitetet e tij si basketbollist dhe artist, ndërsa temat e politikës së brendshme dhe të drejtave të njeriut, si korrupsioni, bashkëpunimi me krimin e organizuar dhe tendencat autoritare, trajtohen vetëm përmes insertëve editorialë të shkurtra.
Aktivistja Gresa Hasa, bashkëthemeluese e revistës feministe “Shota”, thekson se intervista trivializon realitetin politik shqiptar: “Pas zgjedhjeve të 11 majit, Shqipëria funksionon de facto si një shtet njëpartiak. Regjimi i Ramës po kriminalizon mospajtimin, ndërsa ‘Zeit Magazin’ e portretizon kryeministrin për zbavitjen e lexuesve.”
Sipas analizës së mediave të huaja, Rama është shfaqur në intervistë i qetë dhe i vetëkënaqur, duke i minimizuar kritikat e opozitës dhe duke u shprehur se gjithçka po shkon “shumë mirë”, pavarësisht shqetësimeve për korrupsion dhe shkelje të standardeve demokratike.
