E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Nancy Vanhorn zhvilloi ditën e djeshme një takim në kryeministri, ku qëndroi përreth 20 minuta. Mësohet se Vanhorn është takuar drejtoreshën e kabinetit qeveritar, Vali Bizhga, për shkak se kryeministri Rama thuhet se ndodhet jashtë shtetit për vizitë. Kjo vizitë në godinën qeveritare, është e para e diplomates amerikane, pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit dhe vjen vetëm një ditë pasi Komisioni Rregullator certifikoi rezultatin e garës elektorale të 4 muajve më parë. Vizita e saj vjen gjithashtu në një kohë kur Rama pritet që të shpallë kabinetin e ri qeveritar “Rama 4”.
Kryeministri Edi Rama pritet që më 11 shtator në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste të publikojë emrat e kabinetit të ri qeveritar, duke i dhënë fund dilemave mbi përbërjen e skuadrës së mandatit të katërt. Gjatë kësaj jave, kreu i qeverisë ka zhvilluar një sërë takimesh me ministrat aktualë, në kuadër të ristrukturimit që pritet të ndodhë. Nga ana tjetër, edhe kalendari parlamentar është në pritje. Presidenti Bajram Begaj do të duhet të dekretojë datën e seancës së parë të parlamentit të ri, i cili sipas Kushtetutës duhet të mblidhet brenda 10 ditëve nga dita e parë e mundshme. Kjo nënkupton se 10 shtatori është data më e hershme për konstituimin e parlamentit, ndërsa afati i fundit është 20 shtatori.
