Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ka administruar miliarda lekë për projekte që lidhen me promovimin dhe reklamimin e platformës e-Albania, fushata ndërgjegjësuese për përdorimin e shërbimeve online, si dhe fushata mediatike në TV, rrjete sociale e ambiente publike. Gazeta “Sot” ka raportuar në artikujt e fundit se këto fonde publike janë shpërndarë shpesh nëpërmjet procedurave të kufizuara ose negocimeve pa shpallje, ku konkurrenca ka qenë minimale ose thjesht e simuluar. Për shembull, në tenderin kryesor për reklamimin e e-Albania morën pjesë vetëm tre kompani të ftuara, prej të cilave dy rezultuan të lidhura me njëra-tjetrën, një situatë që tregon mungesë gare reale.
Roli i Theodhori Çamit
Nëse analizojmë me detaje tenderat zbulohet një rrjet kompanish të lidhura mes tyre, që dominojnë tenderat e reklamimit publik duke krijuar fasadën e konkurrencës. Ky rrjet kontrollohet në prapaskenë nga të njëjtat interesa dhe persona të afërt me pushtetin. Dy figura kyçe në këtë skemë janë: Theodhori Çami (pronari i Euro News Albania) biznesmen i njohur në fushën e marrëdhënieve publike dhe reklamave. Çami ka qenë themeluesi dhe pronari i vetëm i agjencisë publicitare “Le Spot Group” deri në vitin 2012. Pas këtij viti ai shiti kuotat te bashkëpunëtorë të afërt, por vazhdoi të ushtronte ndikim duke shërbyer si administrator dhe anëtar bordi deri më 2018. Emra të besuar të emëruar prej tij kanë marrë drejtimin e kompanive pasuese – p.sh., Mirza Alibegaj u vu administratore në një nga kompanitë pasi u largua vetë Çami.
