“Pallati i Kongreseve”, një monument kulture në pronësi të Bashkisë Tiranë, që prej 25 korrikut, me vendim të mazhorancës së anëtarëve socialistë të Këshillit Bashkiak, i ka kaluar në pronësi Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC), një shoqërie aksionare shtetërore që ka synim ‘zhvillimin’ e pronave publike.
E ndërtuar në vitet e fundit të diktaturës komuniste për të strehuar kongreset e ish-Partisë së Punës, kjo ndërtesë ka shërbyer për funksione të ndryshme, nga koncertet e panairet deri te organizimi i samiteve ndërkombëtare. Por fati i saj mbetet tashmë i paqartë.
Sipas pak të dhënave që AIC ka bërë publike, mësohet se godina do t’i nënshtrohet ‘rikonstruksionit’ dhe se ‘partneri privat do të përfitojë pjesën përkatëse të zhvillimit’. Megjithatë, për momentin nuk është e qartë se çfarë konkretisht do të përfitojë investitori nga kjo pronë publike.
E krijuar me ligj të veçantë në vitin 2019, AIC ka si objektiva kryesorë: nxitjen e zhvillimit ekonomik nëpërmjet projekteve investuese në nivel qendror, vendor dhe rajonal, në mbështetje të politikave shtetërore të zhvillimit; vënien në përdorim me eficiencë të pronave shtetërore; si dhe kryerjen e investimeve duke mobilizuar kapital shtetëror dhe/ose privat.
