Lidhur me situatën e rëndë nga zjarret ka reaguar edhe Instituti për Bashkitë e vendit, duke kërkuar mbledhjen urgjente të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile për të shqyrtuar shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Në një reagim zyrtar, Instituti thotë se duhet të bëhet edhe një vlerësim i plotë i dëmeve të shkaktuara.
“Sugjerojmë thirrjen urgjente të mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile dhe marrjen në shqyrtim të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, duke kategorizuar situatën si emergjencë civile sipas ligjit.”, thuhet në reagim, ndërsa apelon edhe banorët për të respektuar urdhrat e evakuimit.
