Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive ka një staf prej 40 inspektorësh e ndihmës-inspektorësh, të cilët kanë për detyrë verifikimin e “xhepave” të zyrtarëve të lartë; ka një buxhet vjetor rreth 2.5 milionë euro dhe një administratë mbështetëse, që arrin në mbi 70 rrogëtarë shtetërorë me paga të konsiderueshme.
E, pas këtyre benefitive, institucioni i drejtuar prej disa vitesh nga Evgjeni Bashari “mburret” në raportin vjetor për vitin 2024 se…ka arritur të referojë rastin e një personi pranë Prokurorisë së Posaçme.
Pra, një vit punë dhe rroga të majme, për të zbuluar vetëm një rast zyrtari (ose ish-zyrtari) me probleme me pasurinë që është subjekt i SPAK-ut (zyrtar i nivelit nga kryetar bashkie e lart).
Kjo e dhënë gjendet në dokumentin mbi aktivitetin institucional për vitin e kaluar, që ka dorëzuar Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) në Parlament.
