Samiti historik mes presidentit amerikan Nixon dhe liderit kinez, Mao Zedong që u mbajt në Pekin më 1972, u kthye në opera më 1987 me muzikë të John Adams, libret të Alice Goodman, Mao si tenor, Nixon dhe Zhoul Enlai si baritonë dhe Kissinger si bas.
Por samiti mes Ronald Reagan dhe Sekretarit të Partisë Komuniste Sovjetike, Mikhail Gorbachev në Rekjavik, Islandë më 1986 që hapi rrugën drejt fundit të Luftës së Ftohtë, frymëzoi dy vepra dramatike.
Fillimisht drama e vitit 1988, ”A Walk in the Woods” nga Lee Blessing, e bazuar në “shëtitjen në pyll” në Islandë mes diplomatit amerikan Paul Nitze dhe homologut të tij rus Yuli Kvitsinsky, gjatë së cilës ishin të pashoqëruar dhe arritën një mirëkuptim aq të thellë saqë si Shtëpia e Bardhë, ashtu edhe Kremlini e hodhën poshtë. E megjithatë, ai moment dha frytet e veta me rrëzimin e Murit të Berlinit në vitin 1989.
Takimi i harruar i 11-12 tetorit rreth 39 vite më parë mes Reagan dhe Gorbachev rikthehet në një film në Hollywood, “Reykjavik”, të regjisorit Michael Russell Gunn dhe me aktorë protagonistë Jeff Daniels dhe Jared Harris. Një film për të mos u humbur pasi shtrëngimi i duarve mes SHBA-ve dhe Rusisë së sotme nuk është kurrë vetëm për politikën, diplomacinë, mbrojtjen dhe inteligjencën, por edhe për njerëzimin, kulturën popullore, iluzionet e humbura dhe shpresat e pamundura të realizuara.
A do të hyjë në histori samiti i mes gushtit mes Donald Trump dhe Vladimir Putin nëpërmjet muzikës apo skenës? A do të jetë një marrëveshje historike si ajo mes Roosevelt dhe Stalinit në Jaltë, qytetit të zgjedhur në 1945 sepse diktatori kishte frikë të fluturonte? Apo do të jetë një dështim, si në Vjenë në qershor 1961, kur veterani luftarak i Stalingradit Hrushov poshtëroi ish-ushtarin e frontit të Paqësorit Kennedy?
