Pavarësisht vëmendjes publike dhe programeve të herëpashershme të lehtësimit të financimeve, kredia për bujqësinë mbetet në vlera shumë të ulëta.
Rreth 15 vjet më parë, drejtori i përgjithshëm i një banke tregtare në Shqipëri, i pyetur rreth sektorëve me potencialet më të mëdha për të rritur kreditimin e bujqësisë, vendoste në krye të listës bujqësinë.
Jo shumë vite më vonë, drejtori i përgjithshëm i njërës prej bankave kryesore me kapital të huaj, menjëherë pas emërimit në Shqipëri, zhvilloi një ndër takimet e para publike në një aktivitet për kreditimin e bujqësisë në Lushnjë, ku theksoi rëndësinë e madhe që bankat shqiptare të zbrisnin në terren për të financuar këtë sektor.
Edhe më shpesh ka ndodhur që drejtues të Bankës së Shqipërisë në fjalimet e tyre t’u drejtojnë apele bankave, për t’i dhënë më shumë vëmendje bujqësisë.
E shkuara jo shumë e largët na kujton se, në fakt, rëndësia e rritjes së kredisë për bujqësinë është një temë që prej vitesh kthehet periodikisht në qendër të vëmendjes së institucioneve të lidhura shtetërore dhe sektorit financiar.
