Siç u parashikua “pronari” i FSHB-së, Avni Ponari, nuk surprizon më askënd. Në një tjetër episod tragjikomik i nivelit grotesk, ky “president” vendosi të aplikojë një “20% ulje për dy blerjet e para” të lojtarëve të huaj – një lëvizje më shumë për të tallur anëtarët kontribuues të saj sesa për t’i ndihmuar! Pse ky President nuk ndjek modelin e FIBA-s, meqenëse në çdo dalje të tij nuk rri pa e përmendur emrin e këtij institucioni? FIBA mbështet federatat me financa për pjesëmarrje me ekipet kombëtare, mbështet me bazë materiale, mbështet me edukim stafesh, trajnerësh, arbitrash,liderë sportivë ashtu si çdo federatë mëmë bën dhe jo të zhvatë anëtarët e saj me politika të pamenduara dhe mbi të gjitha vendime JO LEGJITIME DHE NË KUNDËRSHTIM ME STATUTIN. Nuk dihet me cilën kryesi janë bërë këto ulje sezonale– me atë që e njeh gjykata, apo me atë që ai vetë ka “blerë” bashkë me sekretarin që i mban pishën? E vetmja gjë që dihet është që FSHB është kthyer në një monopol personal, ku mbretëron arroganca, mungesa e transparencës dhe dhunimi institucional i çdo forme legjit imiteti.
“PRONARI” QË GRABIT BASKETBOLLIN ME LIGJ
Avni Ponari ka 18 vite në krye të FSHB-së dhe mendon se ky institucion është pronë e trashëgueshme e tij. Ai e përdor federatën si filial të bizneseve të veta, duke emëruar “këshilltarë” dhe drejtues që askush nuk i njeh si profesionistë, por që shërbejnë si kukulla të verbra të çdo urdhri të tij. Ky është presidenti që nuk njeh statut, nuk njeh rregullore dhe nuk njeh ligj! Ai nuk ka asnjë të drejtë të marrë vendime ekonomike pa iu nënshtruar mendimeve dhe analizave të Asamblesë, por e bën. Ai nuk ka të drejtë të ndryshojë tarifa, pa i propozuar ato në diskutim me shoqatat, por i ndryshon. Ai nuk ka të drejtë të imponojë struktura organizative, por i imponon. A i thotë njeri këtij presidenti që Federata nuk është një kompani private? Që klubet nuk janë degë të sigurimeve të tij? Që ky institucion financohet nga taksat e shoqatave, nga kontributi i tyre, nga pjesëmarrja e tyre në aktivitet, e jo nga fondet e tij personale?
