Andi Gjiknuri e Jonian Antoni, resort pa leje në Dhërmi, policia arreston vetëm punëtorin e “Jala Investment”

Data

Këto pretendime u mohuan nga administratori i shoqërisë “Jala Investment”, Saimor Broka. Në një reagim publik, ai sqaronte se projekti ndërtimor po zhvillohej në prona të blera nga aksioneri ‘Aig” shpk dhe se investimi financiar po kryhej nga aksioneri tjetër, “Andi” shpk.

Katër vjet pas dyshimeve dhe sqarimeve, “Jala Investment” shpk gjendet në telashe ligjore. Kësaj radhe jo nga raportimet mediatike, por nga institucionet ligjzbatuese. Arsyeja e telasheve-kompania po zhvillon projektin pa leje ndërtimi në fuqi.

Megjithatë, i penalizuari i vetëm për këtë paligjshmëri flagrante është inxhinieri zbatues, njëlloj siç ka ndodhur në rastet e raportuara më herët nga “Boldnews.al” për investimet “The Velt” të kompanisë “Halisof” dhe “Folie Village” të shoqërisë “Soleil & Sea”.

Në 3 Qershor 2025, Policia e Vlorës arrestoi në flagrancë inxhinierin zbatues të projektit “Jala Investment”, Klarens C., nën dyshimet se ka kryer veprën penale të “ndërtimit të paligjshëm” për qëllime përfitimi, parashikuar nga neni 199/a/4 i Kodit Penal.

Policia, e ndihmuar edhe nga inspektorët ndërtimorë vendorë të Bashkisë së Vlorës, kanë arritur në konkluzionin se projekti i “Jala Investment” po zhvillohet pa leje ndërtimi të vlefshme.

Inxhinieri 40-vjeçar u paraqit para gjykatës në 6 qershor 2025 dhe ndaj tij u caktua masa e sigurimit “detyrim për paraqitje”. Klarens C. është i vetmi punonjës i “Jala Investment” i konsideruar përgjegjës deri më tani për shkeljen penale, ndërkohë që ai, në cilësinë e inxhinierit zbatues, ka marrë porosi nga administratori i shoqërisë, si edhe punimet po i kryente me shpenzimet e investitorit.

Të gjithë personat mbi inxhinierin 40-vjeçar duhet të kenë ditur se punimet po zhvilloheshin pa leje ndërtimi aktive. Por, policia, e më tej Prokuroria e Vlorës, kanë vlerësuar që të godasin vetëm hallkën e fundit të zinxhirit drejtues.

“Jala Investment”, ndërtim pa leje

Boldnews.al” ka siguruar dosjen e Prokurorisë së Vlorës, mbi të cilin gjykata ka caktuar masën e sigurimit për inxhinierin zbatues.

Sipas akteve hetimore, rezulton se punonjësit e Policisë së Vlorës kanë shkuar në 3 qershor 2025 në kantierin e kompanisë “Jala Investment”, në zonën e Jalës, në bregdetin e Dhërmiut, pjesë e bashkisë së Himarës.

Në foto: Projekti i “Jala Investment” po zhvillohet në bregdetin e Dhërmiut

Nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes, e cila ndodhet në fshatin Jalë të Bashkisë Himarë, ku objekt këqyrje është një kantier ndërtimi i firmës “Jala Investiment” shpk.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related