Avokati i Thoma Gëllçit, Dorian Matlija, ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të SPAK, Altin Dumani, në lidhje me çështjen “Gëllçi” në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).
Në një prononcim publik, Dumani deklaroi se në Strasburg janë paraqitur informacione të pasakta, duke theksuar se Gëllçi ishte arrestuar dhe jo vetëdorëzuar, siç pretendohet nga mbrojtja.
Në kundërpërgjigje, Matlija e cilësoi këtë deklaratë si të pasaktë dhe fyese, duke sqaruar se Gëllçi ishte vetëdorëzuar pas një komunikimi me Policinë e Shtetit, dhe se kjo është e dokumentuar në aktet e dërguara në GJEDNJ.
Sipas Matlijës, thelbi i çështjes nuk lidhet me mënyrën e ekzekutimit të masës së sigurisë, por me cenimin e të drejtave themelore të klientit të tij, siç u konstatua nga vetë Gjykata e Strasburgut në vendimin e saj. Ai shton se vendimi i GJEDNJ-së duhet të shërbejë si një mësim për autoritetet, por sipas tij, kreu i SPAK nuk ka reflektuar mbi gjetjet e kësaj gjykate.
Avokati ka kritikuar ashpër qasjen e Dumanit, duke e përshkruar atë si një “profesionist në fazën e adoleshencës”, që sipas tij, shfaq një vetëbesim të tepruar dhe bën deklarata të pavërteta edhe në forume të rëndësishme ndërkombëtare, si OKB-ja apo Gjykata Kushtetuese, duke përmendur si shembull çështjen e gazetarit Elton Qyno.
