Është bërë tashmë një ritual monoton: Sali Berisha del çdo ditë para mediave, si një aktor që përsërit të njëjtin rol të konsumuar. Ai flet për “revolucionin e shtatorit”, për “trenat bullgarë”, për prokurorët dhe ambasadorët, por kurrë nuk e prek thelbin: plaçkën e madhe kombëtare. Asnjë fjalë për pasuritë e Shqipërisë – për naftën, kromin, bakrin, për privatizimet e dyshimta që i kanë rrjepur këtij vendi pasuritë natyrore.
Pse kjo heshtje? Pse zhurma rreth gjithçkaje, por jo për atë që vërtet rëndon mbi fatin e shqiptarëve?
Sepse në prapaskenë ekziston një “aleancë e zezë”. Një marrëveshje e heshtur mes Berishës dhe Ramës, që funksionon si një kontratë mafioze: mos prek timen, nuk do të prek tënden. E ndërsa shqiptarëve u serviren si kundërshtarë të përbetuar, në realitet janë ortakë të së njëjtës skemë. Nuk i ndan lufta për drejtësi apo vizione politike; i bashkon frika reciproke, dosjet e ndërsjella, dhe mbi të gjitha – thesi i përbashkët i plaçkës kombëtare.
Berisha nuk flet për Bankers Petroleum, sepse ishte gjatë qeverisjes së tij që kjo kompani nënshkroi marrëveshjet më të turpshme për shtetin shqiptar. Hesht për CEZ-in, sepse e hapi vetë derën për atë katastrofë energjetike. Nuk përmend privatizimin e hidrocentraleve, sepse ishte ai që vendosi themelet. Po pse nuk i denoncon Rama? Sepse ai vetë i mbuloi këto krime, dhe i thelloi me të tijat.
Edi Rama, me arrogancë dhe kreativitet propagandistik, e ka shndërruar korrupsionin në një art institucional. Por baza e kësaj ndërtese të kalbur është e trashëguar – nga qeveritë e mëparshme, nga vetë Berisha. Ata janë dy kapituj të të njëjtit libër, dy fytyra të njëjtit model grabitjeje.
Kjo nuk është më politikë, është plaçkitje e strukturuar e një kombi. Një vend që vidhet nga të njëjtët njerëz, por me uniforma të ndryshme. Njëri hapi thesin, tjetri po e zbraz përfundimisht. Nëse më parë grabitej me egërsi, sot grabitet me finesë – por rezultati është i njëjtë: shpopullimi, varfëria dhe humbja e shpresës.
Dhe kështu, në çdo palë zgjedhje, shqiptarët nuk zgjedhin dot një alternativë. Ata thjesht bëjnë rotacion hajdutësh. Flamujt ndryshojnë, fjalët ndryshojnë, por thesi mbetet po aty – në duart e të njëjtëve njerëz.
Berisha ulëret për arrestin e tij, për sulmet ndaj familjes së Ramës, për drejtësinë e kapur. Por asnjëherë nuk guxon të ngrejë zërin për atë që shqiptarëve u dhemb më shumë – për pasuritë që u janë vjedhur. Sepse në atë plaçkë, janë të dyja duart: ato të vjetrat, të kryqëzuara me të rejat.
Për sa kohë kjo aleancë e zezë do të vazhdojë të operojë në prapaskenë, Shqipëria nuk ka për të pasur opozitë reale. Nuk do të ketë drejtësi. Nuk do të ketë as shpresë. Vetëm një iluzion zgjedhor, ku në fund të fundit, thesi i kombit mbetet i kapur fort nga të njëjtët hajdutë.
