Në 4-mujorin e parë të vitit 2025, tetë nga kompanitë më të mëdha të prodhimit të qumështit në vend kanë tregtuar qumësht me aflatoksinë.
Sipas OBSH-së, aflatoksina është kancerogjene e Grupit 1, rrit rrezikun për probleme në mëlçi dhe veshka.
Në dyqane, markete dhe supermarkete u shitën tonelata qumësht që i rrezikoi shëndetin konsumatorëve, ndërkohë që AKU nuk bëri asnjë njoftim për konsumatorin, edhe Ministria e Bujqësisë heshti.
Ky skandal është denoncuar fillimisht nga televizioni “Ora News”. Për një investigim më të thelluar të kësaj situate gazetarja Alketa Çeku iu drejtua me një shkresë zyrtare AKU-së, ku i kërkoi këtij institucioni të bëjë transparencë me qytetarët dhe të na informojë se cilat janë emrat e 8 kompanive që i servirën qytetarëve në tryezë qumështin që i vuri në rrezik shëndetin.
Shkresa mban datën 22.04.2025, kanë kaluar 3 muaj dhe drejtuesi i AKU refuzon të bëjë publike emrat e 8 kompanive kryesore në vend, ndërkohe që në aksionet e fundit shihet se AKU vepron me dorë të hekurt ndaj baxhove të vogla në çdo cep të vendit.
