Komisioni i Prokurimit Publik ka vendosur të pranojë ankimimin e një operatori për tenderin me fond limit 226 milionë lekë, apo 2.26 milionë euro, lidhur me përmirësimin e sistemit të ndihmës ekonomike, personave me aftësi të kufizuara dhe shërbimit social.
Në vendimin e Komisionit thuhet se autoriteti kontraktor – në këtë rast Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit duhet të anulojë vendimin e saj të mëparshëm.
“Komisioni vendos: Të pranojë ankesën e paraqitur nga operatori ekonomik BOE ‘Advanced Business Solutions – ABS’ SHPK & ‘Synapse ATS’ SHPK, për procedurën e prokurimit ‘E hapur, mbi kufirin e lartë monetar’, me Nr. REF-30573-11-21-2024, me objekt ‘Përmirësimi dhe integrimi i sistemeve të menaxhimit të informacionit për ndihmën ekonomike, personat me aftësi të kufizuara dhe shërbimin social’, me fond limit 226,460,451.00 lekë pa TVSH, zhvilluar më datë 26.12.2024 nga autoriteti kontraktor, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.
Autoriteti kontraktor të anulojë vendimin për anulimin e procedurës së mësipërme të prokurimit dhe ta rikthejë atë në fazën para anulimit të procedurës së prokurimit.
Autoriteti kontraktor, brenda 5 ditëve, të vërë në dijeni Komisionin e Prokurimit Publik për zbatimin e vendimit, duke dokumentuar veprimet e kryera,” thuhet në vendim
