Rreth 6 vite pas ngjarjes së tërmetit të 26 nëntorit 2019, në Tiranë pritet të ndërhyhet për shembjen e detyruar të 3 pallateve të banimit. Në mbledhjen e planifikuar për t’u zhvilluar më 24 korrik, nga Këshilli Bashkiak do të shqyrtohen për miratim projektvendimet për prishjen e detyruar të tre pallateve të klasifikuara, si të pabanueshme dhe me rrezik serioz për sigurinë publike, që ndodhen në zonat Kombinat dhe Kinostudio.
Konkretisht bëhet fjalë për 2 pallate dykatëshe që ndodhen në rrugën “Bubulina”, Njësia Administrative nr. 6 në Kombinat dhe një pallat 5-katësh në rrugën “Hysen Xhura”, Njësia Administrative nr. 4 që, që pas akt ekspertizave të thelluara të realizuara nga Instituti i Ndërtimit dhe subjekte të licencuara, rezultuan se përforcimi i këtyre godinave është ekonomikisht i paarsyeshëm. Pas akt ekspertizave rezultuan se kostot e ndërhyrjes për struktura të reja dhe të sigurta janë më të ulëta krahasuar me restaurimin.
Nga ekspertët e Institutit të Ndërtimit, për pallatin nr. 64 në zonën e Kombinatit, kostoja e përforcimit përllogaritet sa 84% të kostos së rindërtimit nga e para. Vlerësimi i ekspertëve është kryer pas vlerësimit të bërë për objektin mbështetur në kriteret e VKM nr.26.15.01.2020, ku rezultoi se struktura e pallatit në gjendjen pas tërmetit, nuk i plotësonte kushtet e sigurisë dhe qëndrueshmërisë për aktivitetin sizmik të zonës dhe duhet t’i nënshtrohet rikonstruksionit.
