Është miratuar në parim vendimi për indeksimin e bazës së vlerësuar të vitit 2023 për efekt të llogaritjes së pensioneve, i cili do të zbatohet për të gjithë qytetarët që përfitojnë të drejtën për pension pas datës 1 janar 2025. Sipas projektvendimit të Këshillit të Ministrave, indeksi i ri vjetor është llogaritur në masën 9.3% për pagat e viteve 1994–2023, duke reflektuar ecurinë e kontributeve mesatare për person të siguruar. Ky indeks do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e bazës mbi të cilën llogaritet pensioni, duke bërë që pensionet fillestare mujore të jenë më të larta për ata që dalin në pension gjatë vitit të ardhshëm. “Duke rritur dhe bazën e vlerësuar individuale, për të gjithë personat që e drejta për pension iu lind nga data 01.01.2025, nga kjo datë e në vazhdim do të arrihet të përllogariten, të jepen pensione mujore që janë të lidhura drejtpërdrejt me kontributet e paguara dhe që vetëm për shkak të tyre mund të jenë më të larta së më parë”, thuhet më tej në relacion.
Detajet
Paralelisht me vendimin, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka përgatitur edhe relacionin shoqërues, ku bëhet e ditur se për pagat përpara vitit 1994 do të përdoret një koeficient unifikues prej 13.397, duke u dhënë atyre një rritje mesatare me 8.6% krahasuar me vitin e kaluar. Kjo do të thotë se për shembull, një punonjës që ka marrë 3.233 lekë në muaj në vitet ‘80, do të ketë një pagë të rivlerësuar prej 43.312 lekë për llogaritjen e pensionit. Pas miratimit të vendimit, paga maksimale e rivlerësuar bëhet 110.123 lekë nga 100.752 që ishte një vit më parë, ndërsa paga minimale shkon në 33.037 lekë nga 30.225 lekë. Ky përmirësim përfiton direkt rreth 40 mijë qytetarë që do të aplikojnë për pensione të reja deri në fund të vitit 2025. Vendimi thekson gjithashtu se për pensionet me datë lindjeje të së drejtës deri në 31 dhjetor 2024, llogaritja do të bëhet mbi bazën e indeksit të çmimeve të konsumit, ndërsa nga 1 janari 2025 e në vazhdim do të përdoret baza e rivlerësuar.
