Deputeti i zgjedhur i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka ngritur akuza të forta ndaj autoriteteve për mënyrën e trajtimit të presidentit të kësaj force politike, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim prej muajit tetor 2024.
I ftuar në një studio televizive, Blushi deklaroi se ndaj Metës nuk ekziston asnjë provë që të justifikojë ndalimin dhe izolimin e tij ekstrem, duke theksuar se po i shkelen rëndë të drejtat bazë si person i paraburgosur.
“Ilir Meta mbahet pa prova në një izolim të plotë. I janë mohuar të gjitha të drejtat. Nuk i lejohet të takojë familjarë, deputetë, drejtues të partisë, madje edhe telefonin që e kishte të regjistruar në mënyrë të ligjshme ia kanë hequr,” tha Blushi.
