Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço thotë se dorëheqja e kreut të AMP, Florian Sulejmani ka lidhje me “fshesën” e kryeministrit Edi Rama, që ka përfshirë edhe policinë, në lidhje me mbrojtjen e territorit për ndërtimet pa leje. Z. Karamuço u shpreh dje në një media se ka një shkundje të policisë. “Ka një shkundje. Ky operacion i fundit ka nxjerrë në pah jo eficencën e disa institucioneve. Edhe AMP pati kostot e veta. Po ashtu edhe për kontrollin e territorit. Ka pasur edhe denoncime për punonjës të AMP që kishin kryer uzurpime.
Mendoj se në kuadër të gjithë kësaj që po kërkohet, drejtori i përgjithshëm i policisë ka pasur takim të veçantë, nuk është bërë publik. Ka kërkuar fuqizim të strukturave. Duhet të ketë masa. Patjetër që ka lidhje, dëgjoni në ditët në vijim, masat të tjera konkrete që do merren te inspektorët e tjerë të AMP, që janë pjesë e asaj që ka ndodhur gjatë këtyre ditëve”, theksoi ai. Më tej eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço thotë se përgjime ambientale diktuan paligjshmërinë, në lidhje me zaptimin e hapësirës publike nga biznese private. Karamuço u shpreh se persona përgjegjës për territorin, u thonin pronarëve të bizneseve se gjërat do të rregullohen me vonë. Karamuço shtoi se personat që kanë marrë ryshfet duhet të shkojnë në burg.
“Ka përgjime ambientale gjatë këtyre 72 orëve, ku persona përgjegjës me autoritet shtetëror që duhet ta kishin kontrolluar me kohë këtë territor, u justifikohen këtyre operatorëve të paligjshëm, me faktin që tani kjo është vendimmarrje e kryeministrit, do na e bëni hallall, por do rregullohet më vonë. Pastaj, këta persona i gjen në shpurën e ministrave që shkojnë në disa prej qyteteve dhe evidentojnë zonat, dhe janë të zverdhur, kanë marrë lekët. Ne kemi masën e parë, ndaj biznesit të paligjshëm, por duhet të heqim shpurën mbrapa që kanë dy paga, një në shtet dhe një në privat.
