Shkodra ka ditur gjithmonë t’i dallojë burrat e mirë dhe ata që i shërbejnë me nder qytetit. Një prej tyre, pa diskutim, është Fatmir Lleshi, një oficer policie që gjatë gjithë karrierës së tij ka dëshmuar profesionalizëm, ndershmëri dhe përkushtim.
Por, si shpërblim për këtë punë, ai u shkarkua. Jo për shkak të ndonjë dështimi, por për arsye që vetëm në zyrat e politikës së Tiranës mund të kuptohen.
Në Shkodër, siguria nuk është statistikë, por jetë e përditshme.
Fatmir Lleshi ishte një nga ata oficerë që nuk e kishte nevojë propagandën. Ai fliste me punë.
Nën drejtimin e tij, qyteti përjetoi një nga periudhat më të qeta në aspektin e sigurisë publike.
Fushata kundër kultivimit të kanabisit ishte e suksesshme, grupet kriminale u goditën pa kompromis, rendi u forcua dhe qytetarët ndiheshin më të sigurt.
Ai nuk ishte “drejtori që jep urdhra nga zyrat”, por oficeri që dilte në terren, që bashkëpunonte me qytetarët dhe që e mbante fjalën e dhënë. Ky ishte motivi pse Shkodra e respektonte.
Por duket se në këtë vend, të ndershmit nuk mbahen gjatë në detyrë.
Shkarkimi i Fatmir Lleshit është më shumë se një vendim administrativ. Është një sinjal i zymtë për gjithë ata oficerë policie që punojnë me përkushtim dhe integritet. Mesazhi është i qartë: nuk ka rëndësi sa punon, rëndësi ka kujt i shërben politikisht.
Kjo lëvizje flet shumë për ata që e firmosën shkarkimin. U mjaftoi një vendim në zyrë për të larguar një njeri që kishte mbështetjen e komunitetit, vetëm sepse nuk u përshtatej axhendave të Tiranës.
Ky është realiteti i hidhur që po e fundos shtetin shqiptar: meritokracia zëvendësohet nga shërbimi politik.
Në vend që të vlerësohen ata që mbajnë qytetet në këmbë, promovohen individë që i binden urdhrave të politikës.
Shkodra e njeh mirë këtë lojë. Dhe, ndoshta më shumë se askush tjetër, sot ajo e kupton çfarë ka humbur me largimin e Fatmir Lleshit.
Por ka një gjë që zyrat e pushtetit nuk e kuptojnë dot: nderi dhe respekti nuk shkarkohen me një firmë.
Fatmir Lleshi largohet nga detyra, por jo nga vlerësimi i qytetarëve. Ai mbetet një shembull i oficerit që e ka nderuar uniformën, që ka vënë përpara ligjin dhe jo interesat personale, që ka dëshmuar se shteti funksionon kur në krye janë njerëzit e duhur.
Dhe ky respekt nuk varet nga postet. Sepse Shkodra i mban mend ata që kanë punuar për të, ashtu siç i mban mend edhe ata që e kanë dëmtuar.
Nga EuroAlbania
