Zjarri në fushën e grumbullimit të mbetjeve, pranë inceneratorit të Elbasanit, është shuar pas 6-7 ditësh, por pas la një katastrofë mjedisore të shkaktuar nga tymi toksik i lëshuar nga djegia e mbetjeve të ndryshme urbane dhe industriale.
Tymi është thithur prej rreth një jave nga banorët e Elbasanit, duke u kthyer në një rrezik për shëndetin e tyre, dhe pasojat do të ndihen disa vite më vonë. Dyshohet se zjarri ishte i qëllimshme, ku “autorët” synonin djegien e maleve me mbetje për shkak se inceneratori, për të cilin janë harxhuar miliona euro, është jofunksional.
Sot në Elbasan u shfaq sërish edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu për të bërë propagandë për shuarjen e zjarrit, por ndërkohë, në vend që të mbajnë përgjegjësi kanë kritika për gazetarët.
Vengu u kërkoi gazetarëve që të jenë të kujdesshëm me termin “katastrofë mjedisore”, ndërkohë që vetë ai e pranoi se janë lëshuar gazra të dëmshëm, ku më së shumti janë dëmtuar personeli zjarrfikës. Po ashtu, sipas Vengut të Ramës, gazetarët as nuk duhet të vetëkënaqen prej kësaj gjëje.
“A nuk duhet të ishin marrë këto masa më përpara, në mënyrë që të parandalohej kjo katastrofë mjedisore në Elbasan?” – ishte pyetja e gazetarëve.
