Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përfunduar një auditim të thelluar mbi procedurat e prokurimit publik të ndjekura nga Bashkia Sarandë, duke zbuluar një sërë shkeljesh dhe parregullsish serioze. Sipas raportit më të fundit të publikuar, janë audituar me zgjedhje 12 procedura, nga të cilat 10 të realizuara gjatë vitit 2023 me fond limit 219,021,663 lekë dhe 2 procedura të nisura në vitin 2022 dhe të përfunduara në vitin 2023, me fond limit 59,166,666 lekë.
Sipas raportit, prokurimet janë realizuar në kundërshtim me ligjin, me mangësi në dokumentacionin teknik, parregullsi në përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë dhe probleme të theksuara në zbatimin e kontratave. Këto shkelje kanë sjellë pasoja financiare të drejtpërdrejta për buxhetin e Bashkisë Sarandë dhe kanë cenuar rëndë parimet e transparencës dhe konkurrencës në përdorimin e fondeve publike.
Më konkretisht, në procedurën e “Shërbimi i pastrimit dhe largimit të mbetjeve urbane për Bashkinë Sarandë” të vitit 2023, nga auditi ka rezultuar se nuk duhet të përfshiheshin në përllogaritjen e çmimit zërin kosto administrative prej 5%, pasi në këtë rast rezulton se janë përfshirë dy herë shpenzimet për mbështjetje infrastrukturore. Auditimi ka zbuluar gjithashtu probleme me zbatimin e kontratës, ku mungon dokumenti miratues mbi produktet kimike të pastrimit qoftë nga organet shëndetësore apo nga vetë autoriteti kontraktor. Pavarësisht kësaj, janë vijuar pagesat për larje e dezinfektim, madje, operatori ka faturuar shërbime prej 1,080,488.2 lekë pa TVSh para datës së lidhjes së kontratës, pra kur kontrata nuk ka qenë në fuqi.
Në tenderin “Rikualifikim i rrugëve te brendshme me asfalt në Gjashtë, Sarandë” me vlerë 7,916,666 lekë pa TVSh, kërkohet që operatori ekonomik duhet të këtë të përfshirë në stafin e tij 1 saldator, me argumentimin se ky punonjës nevojitet për garantimin e përmbushjes së zërave të punimit. Nga auditimi rezulton se në preventivin e zërave të punimeve nuk konstatohet asnjë veprimtari, apo materiale që lidhen me saldimin.
Po kështu, në tenderin për Furnizimin me ujë në “Baba Rexhepi” dhe Lugu i Dardhës me vlerë 378.8 milonë lekë, procedura rezultoi pa dokumentacion teknik të plotë për garanci dhe kolaudim me pasojë dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit dhe njësisë vendore në vlerën 1,871,980 lekë pa TVSh.
