Kryeministri Edi Rama duket se po bëhet gati për të mbyllur përfundimisht kapitullin e Erion Veliajt në Tiranë, pas arrestimit të këtij të fundit dhe fundosjes graduale të bashkisë. Sinjalet janë të qarta. Rama po përgatit terrenin për zgjedhje të parakohshme në kryeqytet, dhe ka hedhur në skenë dy figura kyçe që po testohen si kandidatë të mundshëm për të marrë drejtimin e bashkisë, Blendi Gonxhe dhe Ogerta Manastirliu. Pas një periudhe ku Rama e mbajti Veliajn afër për t’i dhënë një iluzion sigurie, në janar i hapi rrugën arrestimit të tij nga SPAK. Më pas nisi fushata e largimit të të besuarve të Veliajt nga bashkitë e tjera, duke pastruar terrenin nga çdo ndikim i tij.
Çfarë ka ndodhur dy ditët e fundit?
Dy ditët e fundit, Rama ka marrë në dorë të gjitha fijet e bashkisë. Ai ka zhvilluar takime intensive me deputetë, kandidatë dhe administratën vendore në Tiranë, ku ka urdhëruar angazhim të menjëhershëm në terren. Mësohet se Rama ka kërkuar që të gjithë të punojnë në terren, ndonëse ka përsëritur disa herë se nuk e di nëse, apo kur, kryeqytetasit do të thirren para kohe në kutitë e votimit, pasi sipas tij, ky vendim varet edhe nga elementë të tjerë. “Arsyet dihen dhe nuk dua t’i përsëris. Më kanë bërë të jem më pranë Tiranës”, tha Rama. Pavarësisht nëse do të ketë zgjedhje apo jo në Tiranë, Rama ka urdhëruar të gjithë njerëzit e tij të dalin të takojnë qytetarët. Mesa duket, kryeministri po pret vendimin e Gjykatës së Lartë më 8 korrik për Erion Veliajn, pasi në këtë datë është caktuar seanca për të vendosur nëse kryebashkiaku do të mbetet në burg ose jo. Relatore do të jetë gjyqtarja Albana Boksi, ndërsa anëtarë, Medi Bici dhe Sokol Binaj. Rekursi do të shqyrtohet në dhomë këshillimi pa praninë e palëve. Sipas njoftimit zyrtar të Gjykatës së Lartë kjo çështje i është nënshtruar gjykimit me procedurë të përshpejtuar duke hyrë në kategorinë e çështjeve me prioritet
