Jona Bejko, punonjësja e kompanisë ‘5D Konstruktion’ ka dëshmuar ditën e sotme në GJKKO. Gjatë fjalës së saj, Bejko, e cila ka dalë në përgjime duke përmendur kryebashkiakun e arrestuar Erion Veliajn, ka sqaruar këto mesazhe.
E pyetur nga prokurori, Bejko ka theksuar se e ka përmendur Veliajn për shkak se Redi Molla dhe Mariglen Qato kishin njohje në bashki. Ndërkohë që për hotelin në Durrës, Bejko ka theksuar se duke qenë se pronar trualli është Redi Molla, i referohet atij.
Jona Bejko: Jam inxhiniere. Kam qenë e punësuar tek subjekti “5D”. Llogarisja kostot e objekteve. Kam aplikuar online, jam marrë në telefon, pastaj intervistë nga administratori, i takon periudhës 2020. Paga mujore ka qenë 60 mijë lekë të reja. I merrja në bankë, merrja edhe lekë në dorë për orët shtesë. Redi Mollën nuk e njoh personalisht, nuk e kam parë asnjëherë. Mariglen Qaton nuk e njoh dhe as nuk e kam parë. Kam pasur marrëdhënie me Jonida Hoxhajn, e cila ka qenë shefe finance në kompani. E kam pasur shumë shoqe. Gjatë komunikimeve që kisha me Jonidën ne i referoheshim Redit me emrin “R”, dhe sa i takon Mariglen Qatos, i thonin “M”.
