Prokuroria e Korçës ka dërguar për gjykim dosjen për dy nga katër zyrtarët e Bashkisë që u hetuan për shkelje dhe shpërdorim detyre, pasi akuzohen se favorizuan ndёrtuesit me taksёn e ndikimit nё infrastrukturё nё tё paktёn 20 raste.
Zhaneta Lubonja, drejtore e Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Teritorit Bashkia Korçë dhe Ermal Gjermeni, përgjegjës i sektorit pranë të njëjtës drejtori janë dy zyrtarët që shkojnë për proces gjyqësor në gjendje të lirë, për veprën penale të parashikuar nga Neni 248 i Kodit Penal.
Prokuroria nisi hetimet që prej vitit 2022 dhe nga këto procedura rezultoi se pёr shumё vite, të dyshuarit kanё ushtruar detyrën si inxhinierё pranё Zyrёs sё Urbanistikёs nё Bashkinё Korçё dhe kanё pasur detyrё tё kontrollojnë aplikimet e bёra nga qytetaret apo bizneset pёr pajisjen me leje pёr kryerjen e ndërtimeve tё reja apo punimeve tё tjera ndёrtimore, vlerësimin e dokumentacionit, miratimin e lejes, etj., por duke shkelur detyrën ata “kanё aplikuar taksë në shkallë me të ulët në 18 raste nga 8%, në 3% dhe 2 raste nga 4% në 3%”. Në një prej rasteve të dokumentuara, në dosje theksohet se subjekti ndërtoi kompleks me 4 pallate në lagjen nr. 3 të qytetit, teksa u është miratuar leja e ndërtimit si kompleks turistik dhe subjekti ka paguar vetëm 3% të taksës, ndërkohë që duhet të paguante 8% të saj. Në fillim hetimet kishin nisur për 4 zyrtarë të institucionit dhe në përfundim të procesit u dërguan për gjykim vetëm 2 prej tyre, që u morën edhe të pandehur.
