Në Izrael po qarkullon një plan që, sipas gazetës Israel Hayom, përshkruhet si plani i përbashkët i Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu-t për të ardhmen e Gazës dhe të gjithë Lindjes së Mesme. Detajet janë të paqarta dhe ngrenë shumë pikëpyetje, por fakti që publikimi vjen nga gazeta e Miriam Adelson, një nga financueset më të mëdha të fushatës elektorale të Trump-it me 106 milionë dollarë, e bën atë të marrë vëmendje. Adelson përfaqëson një urë të drejtpërdrejtë mes Shtëpisë së Bardhë dhe Izraelit.
Sipas gazetarit Ariel Kahana, plani përbëhet nga disa pika kryesore:
- Përfundimi i shpejtë i luftës në Gaza me lirimin e të gjithë pengjeve;
- Internimi i liderëve të Hamasit jashtë Gazës;
- Kalimi i administrimit të Gazës nën kontrollin e disa vendeve arabe;
- Emigrimi i palestinezëve të Gazës që duan të largohen;
- Zgjerimi i Marrëveshjeve të Abrahamit me shtete të tjera, përfshirë Sirinë dhe Arabinë Saudite;
- Angazhimi i Izraelit për një zgjidhje të ardhshme të çështjes palestineze mbi bazën e dy shteteve;
- Në këmbim, SHBA-të do të njohin sovranitetin izraelit në pjesë të Bregut Perëndimor (i quajtur “Judea dhe Samaria” në tekstin origjinal).
Megjithatë, shumë gjëra mbeten të paqarta:
- Ku do të shkojnë palestinezët që dëbohen nga Gaza?
- Çfarë do të thotë “angazhim” i Izraelit kur ai ka shkelur vazhdimisht marrëveshjet ndërkombëtare për shtetin palestinez?
- Dhe çfarë përfshin konkretisht “njohja e pjesëve të Bregut Perëndimor”?
Këto paqartësi e bëjnë të vështirë të kuptohet nëse ky dokument është real apo thjesht një përpjekje për të testuar reagimin e elektoratit të djathtë izraelit, i cili ndjek Israel Hayom. Megjithatë, duket qartë se disa nga idetë e shprehura, si zhvendosja e popullsisë së Gazës dhe përfshirja e vendeve arabe në administrim, përkojnë me strategjinë që Trump dhe Netanyahu kanë ndjekur në muajt e fundit.
“Është e mundur që Netanyahu po mendon për një zgjidhje të tillë dhe nëse është kështu, kjo do të thotë se ai është gati të lërë pas aleatët e tij të ekstremit të djathtë, të cilët duan sovranitet izraelit mbi Gazën dhe ndërtimin e kolonive të reja”, tha tha profesori Yehuda Mirsky nga Brandeis University.
