Për më tepër, me gjuhën, pretendimet dhe akuzat që artikuloi për të justifikuar rezultatin e dobët të zgjedhjeve të 11 majit, ai jo vetëm që imitoi narrativën e Berishës, por në disa raste edhe e tejkaloi atë.
Në këtë kuptim, Bardhi thjesht shprehu besnikërinë ndaj shefit , duke mos ndryshuar aspak nga besnikët më të zellshëm të Berishës.
Me këtë qasje, ai mishëron pikërisht thelbin e krizës identitare që ka mbërthyer sot deputetët demokratë: thonë një gjë në publik, mendojnë diçka tjetër në privat, dhe veprojnë ndryshe në praktikën e tyre të përditshme.
Pyetja që ngrihet natyrshëm është: a i beson vetë Gazment Bardhi ato që thotë?
E vërteta është se, në pak vite në politikë, ai ka dëshmuar se deklaratat e tij janë të luhatshme, të ndryshueshme dhe të varura nga rrethanat momentale, duke mos pasur kurrfarë morali dhe burrërie politike, mirëpo, edhe pas telendisjes që i bëri Zegjineja e famshme, ai nuk përfaqëson më asnjë qëndrim të qartë politik, por thjesht mishëron simptomën më të dukshme të një krize më të gjerë: krizën e një grupi deputetësh pa identitet, pa qëndrim, dhe pa të ardhme në skenën politike pas kohës biologjike të Berishës.
