Shqipëria rrezikon të bëhet e varur nga importet e qumështit dhe nënprodukteve dhe gjithashtu të humbasë trashëgimisë rurale dhe të kulinarisë tradicionale për shkak të rënies së shpejtë të numrit të lopëve të qumështit.
Të dhënat zyrtare të INSTAT për numrin e lopëve të qumështit në Shqipëri gjatë viteve 2014–2024 tregojnë një rënie dramatike në të gjitha qarqet e vendit me mbi 35%.
Në të njëjtën kohë, Shqipëria po përjeton një nga nivelet më të larta të emigrimit në Europë, veçanërisht në zonat rurale dhe malore. Këto dy fenomene nuk janë të shkëputura përkundrazi, ato janë drejtpërdrejt të ndërlidhura.
Fieri është dhe mbetet qarku me numrin më të madh të lopëve të qumështit, megjithëse rënia është e konsiderueshme, nga mbi 50 mijë krerë në 2014 në rreth 34,800 në 2024. Në krahasim me 2023 numri i lopëve në këtë qark u rrit me 0.5% për shkak të investimeve më të mëdha në ferma.
Në Elbasan, rënia është dramatike, më shumë se 59% në një dekadë. Dikur ndër qarqet me aktivitet të lartë blegtoral, tani ka humbur thuajse dy të tretat e tufës së lopëve të qumështit. Në 2024 numri i lopëve të qumështit ra me mbi 6,5 % në krahasim me 2023. Kjo lidhet drejtpërdrejt me largimin masiv të banorëve nga zonat malore të Librazhdit, Gramshit dhe Belshit drejt emigracionit ose qendrave urbane.
