Gjysma e shqiptarëve kanë pagë bruto më pak se 62 mijë lekë

Data

Deri më sot, debati publik është furnizuar me një tregues të vetëm sa i përket të ardhurave të qytetarëve nga paga, treguesi i pagës mesatare bruto. Në tremujorin e parë të këtij viti, paga mesatare bruto ishte në masën 82 mijë lekë, shifër që përfshin tatimin mbi të ardhurat personale, i cili është progresiv, dhe sigurimet shoqërore për pjesën që i mbahen punëdhënësit.

Njihuni me një koncept “të ri”, jo fort i rrahur në debatin publik shqiptar: Mediana! Mediana është një koncept statistikor që shënon pikën e mesit në një seri të dhënash të renditura nga numri më i madh te numri më i vogël. Është e ndryshme nga mesatarja, e cila pjesëton, në rastin konkret, totalin e të ardhurave nga paga me numrin e të punësuarve.

Rezultati është i ndryshëm në mënyrë shumë domethënëse për shkak se mesatarja ka aftësinë të maskojë pabarazinë ndërsa mediana, flet ndryshe. Konkretisht, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, mediana e pagave bruto në të gjithë ekonominë, ku përfshihet sektori publik dhe sektori privat, ishte 62 mijë lekë. Diferenca prej 20 mijë lekësh me pagën mesatare sugjeron që pabarazia në të ardhura është e konsiderueshme. Kështu, mediana tregon se, nga të 748 mijë të punësuarit me pagë në Republikën e Shqipërisë, gjysma ose 374 mijë vetë e kanë pagën më të ulët se 62 mijë lekë.

Problemi që ka mesatarja si tregues mund të shpjegohet me anektodën e vjetër që thotë që: nëse ka dy njerëz, ku njëri konsumon dy pula dhe tjetri asnjë, atëherë mesatarja e marrë më vete sugjeron se të dy kanë ngrënë nga një pulë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related