Meqënëse propaganda mediatike pro qeverisë ka qenë, krahas blerjes së votës, përdorimit të krimit dhe shantazhimit të administratës, një nga kolonat që e përçudnuan sfidën e 11 majit, do të ishte interesante që ajo çka ndodhi të shikohej nga këndvështrimi i një personazhi që deri pak kohë më parë konsiderohej si ylli i ekraneve tona.
Fjala është për Erion Veliajn, i cili, që pas 10 shkurtit, ditës kur i’u vunë prangat, pothuajse është zhdukur nga peizazhi mediatik. Për të gjithçka ka ndryshuar radikalisht. Postimet në rrjetet sociale rrallë ndodh që të prodhojnë tituj kryesorë. Emisionet e lajmeve janë çliruar nga parada e kronikave të gatshme që prodhonte bashkia. Ata që ishin të gatshëm të therreshin për t’a mbrojtur atë nëpër studio, tani janë tulatur. TV-të nuk përmbyten më me kronika për mbjelljen e pemëve, rindërtimin e shkollave apo ndarjen e medaljeve në gara sportive.
Por, po të zhvendosësh vështrimin pak muaj më parë vetja të duket sikur je zgjuar nga një ëndërr e papritur. “Lali” që hynte përditë në shtëpitë tona, me llërët përveshur, me përqafime të ngrohta për fëmijët, herë duke i shërbyer supë pensionistëve e herë duke ndarë ndihma për jetimët, nuk jeton më. Pamja prej superheroi, që lufton për të mirën, për të bukurën për të ndershmen është fshirë si me gomë.
Ky transformim drastik e kërkon një shpjegim. Ai lidhet me rënien e fuqisë dhe pushtetit të tij. Që kur Edi Rama e zhveshi nga gjithçka, duke i hequr të drejtën e komandës reale në Bashki, që kur ai e la pa deputetë besnikë në grupin socialist të parlamentit të ardhshëm, që kur ai u dha urdhër politikanëve të lartë dhe militantëve poshtë, as mos prononcoheshin pro Veliajt, as mos protestonin tek dera e SPAK-ut në favor të tij, aureola e tij u shkërmoq. Ai që zbarkonte mes fëmijëve si superman, në ditën e verës, tani nuk është asgjë më shumë sesa një burgaxhi. Dhe kjo, pasi ai nuk ka më në duar leje për pallate, se ai nuk u bën dot më favore me hedhjen e dherave ndërtuesve, se ai nuk u jep dot reklama të fshehta apo legale pronarëve të mediave, se ai nuk ka më fuqi të sponsorizojë borderotë e fshehta të portaleve të paregjistruara.
